
TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, ka folur për qëndrimin e PDIU në seancën e sotme, që bashkoi votat me socialistët për marrëveshjen e emigrantëve. Bardhi tha se ky nuk është një divorc i PDIU me opozitën, dhe se për çështje të caktuara partitë politike mund të mbajnë qëndrime të ndryshme.
“Votat e PDIU për marrëveshjen, jo divorc me opozitën. Një parti parlamentare në momente të caktuara mund të marrë vendime të caktuara. PDIU ka qenë dhe mbetet aleat i PD. Ka patur një shpjegim dhe nuk kam asgjë për të shtuar në këtë çështje, nuk ndikon në aftësinë për të qenë apo mos të qenë në opozitë”, tha Bardhi.
Ai u ndal edhe te heqja nga agjenda e Amnistisë Penale, ku ndonëse Lulzim Basha nuk i bashkoi votat me mazhorancën, kjo nuk ka thyer akullin me pjesën tjetër të PD.
“Ishte sot në Kuvend? Jo. Nuk e besoj teorinë e gjumit. Pyesni Bashën pse mungoi sot”, u shpreh ai.
Në fund, pati dhe një koment për seancën e sotme, ku u miratuan ligji për zonat e mbrojtura dhe marrëveshja Shqipëri-Itali për emigrantët. Për Bardhin, asnjë prej këtyre marrëveshjeje nuk është në të mirë të qytetarëve.
“Ju e patë në rendin e ditës nuk kishte asgjë të mirë për qytetarët, por për ligje me porosi në dobi të një grushti njerëzisht, për shkak se nuk arritën pazaret e tyre hoqën dhe Amnistinë Penale, nga një ligj humanitar ku duhet t përfitonin qytetarë e zakonshëm në burg, e shndërruan në një ligj për të amnistuar zyrtarë të korruptuar. Tentuan dhe të mashtronin opinionin publik duke iu faturuar opozitës. Ligji i dytë i miratuar ishte i turpshëm për emigrantët, kjo marrëveshje tejkalon pritshmëritë e qytetarëve për marrëdhënien e mirë me Italinë sepse cenon sigurinë kombëtare dhe i treti ishte ligji i zonave të mbrojtura pasi planifikohen që të nxirren në treg pasuritë kombëtare”, tha Bardhi./ZËRI