
STRASBURG-Komiteti parlamentar i Stabilizimit dhe Asociimit Bashkimi Evropian-Shqipëri bëri bashkë opozitën dhe mazhorancën së bashku më përfaqësuesit e BE-së. Mbledhja u mbyll pa një deklaratë të përbashkët mes palës opozitare dhe asaj të mazhorancës socialiste.
Lufta politike u zhvendos nga Tirana në Strasburg, ku zgjedhjet e 11 majit ndezën sërish debatin. Partia Socialiste e cila në 11 maj fitoi premtoi nisjen e punës për reformën zgjedhore që në muajin shtator, ndërkohë që Partia Demokratike shfrytëzoi takimin në Strasburg për të denoncuar procesin e 11 majit si të parregullt.
“Ritheksoj nevojën për të filluar menjëherë në shtator reformën zgjedhore. Dhe sigurisht në reformën e ardhshme zgjedhore duhet të vendosim parashikimin se si do të zgjidhen anëtarët e Parlamentit Europian nga Shqipëria. Cështja tjetër është depolitizimi i komisioneve zgjedhore në nivelin e dytë dhe të tretë. Mendoj se sic bëjmë cdo shtator kur nis legjislatura e re, duhet të nisim reformën elektorale, me consensus sic e kërkon gjithnjë reforma zgjedhore”, u shpreh ministri pë Marrdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla.
Në kundërpërgjigje Jorida Tabaku e Partisë Demokratike foli për shkelje të kritereve ndërkombëtare në zgjedhjet e 11 majit.
“Opozita e ka mbështetur këtë proces jo vetëm me fjalë, por me veprime konkrete politike. Por ne duam që ky proces të përdoret realisht për të ndryshuar dhe transformuar vendin. Askush nuk ka nevojë për një proces integrimi ku gjërat ndodhin vetëm në letër, ndërkohë që standardet dhe normat demokratike nuk ndryshojnë në praktikë në vend. Kështu që thirrja ime për të gjithë pjesëmarrësit këtu është: ta përdorim këtë proces, së pari për të ndryshuar zgjedhjet”, tha Tabaku.
Denati vijoi teksa përfaqësuesit e BE-së vlerësuan ngritjen e task forcës mes SPAK, KQZ dhe PP, Gazment Bardhi tha se ai mekanizëm dështoj për shkak të kryeministrit.
Gazment Bardhi: Kisha një pyetje për përfaqësuesen e Komisionit Evropian që, po citoj, në fjalën e saj përmendi ngritjen e task - forcës mes Prokurorisë së Përgjithshme, SPAK dhe KQZ. Është e vërtetë në fillim të vitit përmes njoftimeve institucionale zyrtare, të tre institucionet, ngritën grupe të posaçme që do të monitoronin në terren krimet zgjedhore. Nga 20 shkurti i vitit 2025, vetëm pak muaj përpara datës së zgjedhjeve e deri në përfundim të zgjedhjeve rezultoi që jo vetëm Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme dhe hetuesit e tyre nuk u panë më në terren për të hetuar krimet zgjedhore por nuk pati asnjë rezultat për të parandaluar krimet zgjedhore deri ditën e zgjedhjeve. Mund të ketë në momentin që flasim çështje nën hetim, apo procedime të regjistruara, por më lejoni tju sjell në vëmendje që e njëjta sjellje ka ndodhur edhe në 2021 dhe sot ka me dhjetëra kallëzime që vazhdojnë të hetohen edhe pse ne kemi kryer edhe zgjedhjet e 2025. Që kështu nëse rezultatet e këtyre hetimeve ne i marrim në vitin 2030, sigurisht që kjo nuk ndihmon as në ndëshkimin e krimeve zgjedhore por mbi të gjithë nuk ndihmon në parandalimin e krimeve zgjedhore. Dhe pyetja ime është për Komisionin Evropian, në procesin dhe rrugën që ka Shqipëria përpara, në procesin e integrimit, Është e rëndësishme të kemi rezultate apo projekte ne letër. Sepse dëshira e të tre institucioneve që ngritën Task – Forcën për të hetuar krimet zgjedhore ishte nje tentative që mbeti vetëm në letër.
I pranishëm, ishte edhe eurodeputeti Fredi Beleri, i cili ngriti akuza se në Shqipëri sistemi i drejtësisë është i kapur nga ata persona që po përpiqen ta reformojnë atë.
Në Shqipëri sistemi i drejtësisë është i kapur nga ata persona që po përpiqen ta reformojnë atë. Qeveria përmes procesit të vettingut, i cili kontrollon gjyqtarët potencialë, e kanë lënë sistemin me të njëjtat gabime apo mangësi si para reformës. Drejtësia është përdhosur në zgjedhjet e fundit. Ne duhet të kemi zgjedhje të lira dhe të drejta. Thuajse në çdo rajon të Shqipërisë ka një përfaqësues të krimit të organizuar në parlament.” , tha Beleri.
Replikën e mori nga bashkë-drejtuesi i takimit, socialisti Toni Gogu.
"Zoti Beleri për shkak se më përmendët emrin më duhet të bëj një sqarim të shkurtër se të gjithë pretendimet situatës së zgjedhjeve janë duke u shqyrtuar nga autoriteti kushtetues i pavarur KQZ dhe gjykatat si Kolegji Zgjedhor. Besimi që kemi në ato institucione që kemi ndërtuar së bashku me PE me shumë mund në 30 vitet e fundit, sidomos në 10 vitet e fundit përmes reformës madhore në drejtësi, besoj se duhet të mbetet i paprekur dhe iu siguroj që në fund fare vullneti i popullit shqiptar në ato kuti që po rinumërohet, do të jetë i patjetërsueshëm", theksoi Gogu.
Mbledhja e 20 ndërparlamentare e Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe BE-së, do të mbahet në tetor në Tiranë.