
TIRANË- Me pak ditë vonesë, por socialistët janë mbledhur sot para selisë rozë për të festuar 34-vjetorin e Partisë Socialiste. Në festën, poshtë "shtëpisë" së socialistëve, janë mbledhur të gjithë, socialistë të rinj dhe veteranë. Mes tyre janë edhe figura si Et’hem Ruka, Gramoz Ruçi apo Arta Dade. Para të gjithë të pranishmëve, një fjalë të shkurtër mbajti edhe kryeministri Edi Rama vuri theksin tek qëllimi i tij për mandatin e katërt: integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
"Nuk lodhemi së ngarkuari veten me përgjegjësi dhe për të parë se çfarë duhet bërë më mirë. Dhe natyrisht shumë gjëra duhen bërë më mirë, kur ky mandat është lidhur me një besim të jashtëzakonshëm për të udhëhequr Shqipërinë në BE brenda kësaj dekade. Nuk ka arsye më të fortë se ky objektiv. Është një objektiv sa i arritshëm edhe tejet i vështirë për t'u arritur. Është një objektiv sa i afërt aq edhe i lidhur me atë çka duhet të përmirësojmë dhe përmbushim çka duhet përmbushur,"- u shpreh Rama.
FJALA E PLOTË E RAMËS:
Kjo është një ditëlindje që bëhet e veçantë si rezultat i faktit që vjen mbas një fitoreje shumë domethënëse të Partisë Socialiste. Një fitoreje, e cila vjen me një përgjegjësi më të madhe se asnjëherë tjetër, për vetë faktin që u mishërua si rezultat i një mbështetjeje më të madhe se asnjëherë tjetër për Partinë Socialiste dhe padyshim që ne nuk i jemi frikur, edhe sigurisht nuk i jemi shmangur asnjëherë përgjegjësive që vijnë me fitoret dhe kjo unë besoj se është arsyeja kryesore pse ne nuk lodhemi së fituari, pasi nuk lodhemi së ngarkuari veten me përgjegjësi dhe së reflektuari mbi çfarë mund të bëjmë më mirë. E natyrisht që shumë gjëra duhen bërë me patjetër më mirë në kushtet kur kjo fitore është e lidhur me një mandat besimi të jashtëzakonshëm për të udhëhequr vendin dhe për ta anëtarësuar Shqipërinë në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade.
Nuk ka arsye më të fortë dhe nuk ka edhe domethënie më të madhe lidhur me përgjegjësinë, se sa ky objektiv, i cili është një objektiv sa i arritshëm, aq edhe tejet i vështirë për t'u arritur, është një objektiv sa i afërt aq edhe jashtëzakonisht i lidhur me sa shpejt ne do jemi në gjendje të përmirësojmë çka duhet përmirësuar dhe të përmbushim çka duhet përmbushur. Natyrisht që nuk kemi asnjë arsye për të mos qenë besimplotë. Kemi një skuadër të re me jo pak, po me 83 deputetë dhe më shumë sesa numri është përbërja e skuadrës, është harmonizimi i eksperiencës me prurjet e reja dhe është shpërndarja më e mirë se sa asnjëherë tjetër e peshës së përfaqësimit në çdo territor që besoj unë i japin kësaj skuadre të re mundësinë që ta përballojë me sukses peshën e madhe që do të duhet të mbajë në këto vite, kur parlamenti do duhet të bëhet shtylla kryesore e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian, për vetë përmbajtjen që ka procesi.
Nga ana tjetër, unë besoj që si rezultat i mirëorganizimit në të gjithë territorin dhe si rezultat i një beteje të bërë me shumë përkushtim në të gjithë territorin kemi po ashtu edhe një skuadër mbështetëse, jashtëzakonisht premtuese, në të gjitha njësitë administrative dhe në të gjitha zonat ku Partia Socialiste është angazhuar gjatë gjithë këtyre muajve, në mbështetje të grupeve të kandidatëve për deputetë dhe patjetër që vlera kryesore e kësaj skuadre mbështetëse janë burimet e veta njerëzore, ku ne do të duhet të qëmtojmë me kujdes për të identifikuar më të mirët e mundshëm dhe për t'i ngarkuar në përgjithësi në një proces që do të kërkojë shumë angazhim në të gjitha nivelet. Procesi i anëtarësimit, nuk është një proces thjeshtë i qeverisë, apo thjeshtë i deputetëve në parlament, apo thjesht i drejtuesve apo institucioneve qendrore të vendit, por është një proces i shtrirë në të gjithë territorin, ku përfshihen patjetër edhe njësitë e pushtetit vendor dhe ku shumë nga detyrat që ka ky proces mbeten për t'u adresuar, por që të adresohen siç duhet, duan një kapital njerëzor goxha cilësor. Dhe unë kam shumë besim se ne, nëse do të bëjmë gjënë e duhur në çdo hap dhe nëse do ta adresojmë këtë si një prioritet kombëtar të Partisë Socialiste, do të jemi në gjendje që t'i japim një forcë të madhe Partisë Socialiste në territor, duke u mbështetur tek njerëzit më të talentuar, tek njerëzit më të përgatitur, tek njerëzit më të përkushtuar. Dhe për të mos u zgjatur, se nuk është as kongres, as konferencë, as asamble, por është një ditëlindje, dua të falënderoj të gjithë ata, që janë këtu sot, të ftuar dhe që na nderojnë në praninë e tyre dhe më zunë sytë dy, edhe fatmirësisht, sytë më vajtën nga njëri ekstrem në tjetrin, nga Frrok Çupi te Ylli Rakipi. Frroku është më afër tribunës, Ylli është komplet larg si për të thënë që unë erdha, po unë nuk jam me ju.
Ylli, e dimë që s’je me ne, po mos rri aq i distancuar, se dukesh si ata, në ato pikturat e realizmit socialist, që rrinin si në hije. Po, po të falënderoja për praninë gjithsesi. Jemi shumë të qartë që s'je me ne dhe, edhe pavarësisht se mund të rrish me Filip Çakullin prapë se prapë nuk bëhesh me ne. Duhet të falënderoj edhe të gjithë ata që janë këtu përpara nesh, domethënë përpara meje dhe përpara shumë të tjerëve dhe që janë gjithmonë pranishëm në këto sebepe, por jo vetëm sebepe, janë të pranishëm edhe në jetën e përditshme të partisë, sipas mënyrës dhe me energjinë e tyre. Edhe këtu dy ekstreme do marr zysh Artën që nuk më ndahet, edhe që as nuk i diskutoja, që sa të dëgjonte emrin, do ta bënte fytyrën që ç'ke që më përmend emrin, “zyshe ty shyqyr që të kemi”. Edhe shokun Gramoz që nuk diskutohet, që sa kohë do ta shoh këtu në oborrin e partisë jam i sigurt që partia është në rrugën e duhur. Shqetësohuni ditën kur më të mungojë Gramozi në këtë oborr, po atëherë s'do jem as unë kështu që shifni e bëni. Ju falënderoj shumë të gjithëve, edhe një falënderim të posaçëm për Sekretarin e Përgjithshëm, i cili si gjithmonë në këto raste ka veshur kostumin e dasmës. Edhe faleminderit, dihet në mbyllje, të gjitha vajzave dhe grave që janë këtu të pranishme. Siç tregoi edhe 11 maji, kush u mbështet tek vajzat dhe tek gratë, fitoi. Më falni, dua të bëj dhe një falenderim të posaçëm për të gjithë ata, që janë në prapavijë në kuptimin e dukjes, por që janë shumë të domosdoshëm për ne dhe që hapin dhe mbyllin derën e kësaj selie dhe bëjnë që të jetë gjithmonë e bukur, e pastër, e sigurtë edhe që të ketë gjithmonë ngrohtësinë e tyre, kur ne na duhet të vijmë këtu dhe t’i shqetësojmë.
Partia Socialiste u themelua më 12 qershor 1991, ndërsa kryetari i saj i parë u zgjodh Fatos Nano. Nano i drejtoi socialistët deri në vitin 2005, për t'ja lënë më pas drejtimin kryesocialistit Edi Rama. Ky i fundit, e ka udhëhequr PS-në në fitore që prej vitit 2013, duke fituar gjithsej 4 mandate qeverisëse./ZËRI