
TIRANË-Teka ka nisur rinumërimin i plotë i të gjitha votave të qarkut Tiranë, janë evidentuar edhe parregullsi brenda lsitës preferenciale të kandidatëve. Në ditën e parë u rinumëruan 85 kuti nga 1282 që janë gjithsej.
Sa i përket votave për kandidatët, në listën e Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti, pretendonte se shumë vota të tij kishin kaluar te kandidatët e tjerë. Me shqyrtimin paraprak, Alimehmetit i kanë vjedhur deri tani 4 vota. Edhe rivales së tij Jorida Tabaku po ashtu i janë vjedhur 11 vota, duke mos e zbutur diferencën prej 2400 votash që kanë mes tyre.

Sipas të dhënave nga KQZ, rinumërimi tregon se kandidates Ilda Zhulali i ishin marrë 13 vota. Mhill Gecajt i hiqen 5 vota, Asllan Dogjanit i shtohen 10 vota apo Dhurata Çupit 4 vota. Petrit Dodës i zbriten 10 vota, Petrit Gjorgjit i zbriten 15 vota, Arjan Hoxhës i shtohen 2 vota, apo Sali Shehut që i hiqen 6 vota.
Nga Partia Socialiste, diferenca mes Olta Xhaçka dhe Blerina Gjylametit mbetet pak a shumë e njëjtë. Nga rinumërimi shihet se Xhaçka ka marrë 1 votë më shumë ndërsa Gjylametit i janë hequr padrejtësisht 2 vota. Bie në sy se Fatmir Xhafaj ka marrë 32 vota padrejtësisht nga numërimi i parë, apo Kejsi Elezi që kishte marrë 22 vota që nuk i takonin.
Ndryshimet në parti
Nga rinumërimi, deri më tani rezulton se nga numërimi i parë PD-ASHM kishte përfituar 19 vota më shumë, ndërsa PS 42 vota më shumë, PSD 7 vota më shumë dhe Lëvizja Bashkë përfiton 1 votë më shumë. Nga 1 votë më shumë kishin përfituar edhe Partia Aleanca Kombëtare Shqiptare dhe Partia Aleanca Demokracia e Re.
“Mundësia” nga rinumërimi deri tani ka përfituar 3 vota më shumë, që i ishin hequr në numërimin e parë. Ndërkohë, 5 vota më shumë përfiton edhe partia e Lulzim Bashës dhe nga 1 votë më shumë e marrin koalicioni i Enkelejd Alibeajt dhe Lëvizja Atdheu.