TIRANË-Lulzim Basha ka reaguar pasi Sali Berisha hodhi akuza se vendimi i Gjykatës së Apelit në Londër për lënien në fuqi të shpalljes non grata nga Britania e Madhe u ndikua nga deklaratat, sipas tij, “të kundershtarëve politikë Rama, Basha, Veliaj”.
"Berisha paska lidhje me krimin e organizuar pasi qe nje militant i PD te cilin Berisha nuk e kish takuar kurre ne jete (F. Dauti) gjate nje vajtje te komisionit te rithemelimit ne PD ka goditur me shkelm nje dere! Ndonëse në dokumentat e saj Home Office pohon se nuk gjetem asnje provë qe Berisha te kete ndonje lidhje me z. Dauti, në mënyrë allogjike e qesharake shprehen se kjo provon lidhjen e Berishes me krimin e organizuar, Kjo vetëm sepse ambasadori ka marrë të gatshme shprehjet e Lulzim Bashës,"- u shpreh ndër të tjera ish-kryeministri në reagimin e tij pas vendimit.
Basha nuk ka nguruar t'i përgjigjet dhe në reagimin e tij i kërkon Berishës që të sqarojë demokratët për pengimin që po i bën opozitës për interesa thellësisht personale, Berisha ngre pretendime imagjinare ndaj meje pas humbjes së gjyqit për heqjen e “Non gratës” nga Britania e Madhe. Sipas tij Sali Berisha është në të njëjtin pazar me Edi Ramën.
"Për çdo shqiptar sot është e qartë, dhe u faktua edhe me vendimin e paligjshëm për Partinë Demokratike, se Sali Berisha është në të njëjtin pazar me Edi Ramën, siç ishte me ndryshimet kushtetuese të 2008-ës. Sali Berishës i duhet vula për të përdorur demokratët si mburojë për hallet e tij dhe familjes së tij; Edi Ramës pushteti për t’u mbrojtur nga i njëjti fat si paraardhësi i tij. Përrallave të Sali Berishës u ka dalë boja prej tre vitesh. Përmes tyre mban peng Partinë Demokratike për hallin e tij personal, duke vazhduar pazarin e vjetër me Ramën, për të mbajtur status quo-në”, shprehet Basha.
REAGIMI I PLOTË I LULZIM BASHËS:
Në vend që të sqarojë demokratët për pengimin që po i bën opozitës për interesa thellësisht personale, Berisha ngre pretendime imagjinare ndaj meje pas humbjes së gjyqit për heqjen e “Non gratës” nga Britania e Madhe. Për çdo shqiptar sot është e qartë, dhe u faktua edhe me vendimin e paligjshëm për Partinë Demokratike, se Sali Berisha është në të njëjtin pazar me Edi Ramën, siç ishte me ndryshimet kushtetuese të 2008-ës. Sali Berishës i duhet vula për të përdorur demokratët si mburojë për hallet e tij dhe familjes së tij; Edi Ramës pushteti për t’u mbrojtur nga i njëjti fat si paraardhësi i tij. Përrallave të Sali Berishës u ka dalë boja prej tre vitesh. Përmes tyre mban peng Partinë Demokratike për hallin e tij personal, duke vazhduar pazarin e vjetër me Ramën, për të mbajtur status quo-në. Rruga pa krye ku ka futur veten dhe demokratët është sot e vetmja arsye pse qeveria më e korruptuar në Europë qëndron në këmbë. Pengimi i ndryshimit, pengimi i Reformës Zgjedhore, sulmet ndaj SPAK, amnistimi i të korruptuarve, pazari për vulën, janë prova të qarta të bashkëpunimit Rama-Berisha, për interesat e tyre, kundër interesave të shqiptarëve. Shqiptarët nuk meritojnë një opozitë të mbyllur në ankthin e interesave personale të një individi, i cili sot i bën fresk qeverisë vetëm për hallin e tij. Qeveria më e korruptuar në Europë meriton të ketë përballë alternativën që u ofron shqiptarëve ndryshim. Loja hilacake mes Ramës dhe Berishës për të mbrojtur gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhet ekonomia, politika dhe demokracia shqiptare, duhet dhe do të marrë fund. Shqiptarët meritojnë më shumë!
Ish-presidenti dhe ish-kryeministri demokrat e humbi apelin në “Komisionin Special të Apeleve të Emigracionit” në Londër, me Ministrinë e Punëve të Brendshme, “Home Office”.Sipas britanikëve, ish-kryeministri ishte i përfshirë në korrupsion, ndërhyri në punët e drejtësisë dhe se kishte lidhje me krimin e organizuar./ZËRI


