
TIRANË- Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka vijuar dhe këtë të hënë me akuzat e forta kundrejt Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK. Gjatë një konference për mediat, Meta u shpreh se SPAK vepron me regji dhe me urdhër të kryeministrit Edi Rama. I ndalur tek zgjedhjet e vitit 2021, Meta tha se në Elbasan u bënë denoncime për vjedhje votash dhe SPAK e çoi dosjen në Elbasan.
Sipas tij, KLP dhe SPAK ishin paralajmëruar se prokuroria e Elbasanit ishte në konflikt interesi. Nga ky mosveprim, shton Meta ndodhi konflikti katër ditë para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021, ku një qytetar humbi jetën, ndërsa tjetri ndodhet në burg nën akuzën e vrasjes.
Ilir Meta: Nuk i besojmë se ato kanë qenë aty dhe asgjë nuk kanë ndodhur unë kam bërë denoncime kur isha president dhe u zhvilluan zgjedhjet, i kam çuar në SPAK dhe nuk është bërë asnjë lëvizje. Në Elbasan u bënë denoncime në 2021 për vjedhje votash dhe SPAK e çoi dosjen në Elbasan. KLP dhe SPAK ishin paralajmëruar se prokuroria e Elbasanit ishte në konflikt interesi. Nga ky mosveprim ndodhi ai konflikti që një qytetarë humbi jetën dhe një tjetër është në burg, besimi tek zgjedhjet u tronditën dhe këto ishin në interes të Ramës. Prandaj ne nuk besojmë, sepse SPAK është strukturë që vepron me regji dhe vepron pasi Rama i vjedh zgjedhjet./ZËRI