Politikë

Nga vizita e Macron te prania e Kurtit/ Shqipëria pret Samitin e Berlinit, 510 mln lekë shpenzime (Axhenda)

E hëna do të jetë një ditë e ngjeshur për Tiranën zyrtare, e cila pret për herë të parë një samit të liderve të procesit të Berlinit

E.K
Nga vizita e Macron te prania e Kurtit/ Shqipëria pret Samitin e Berlinit,
Edi Rama

TIRANË- Të hënën e 16 Tetorit, Tirana do të jetë kryeqyteti i europës, pasi do të presë një prej samiteve më të rëndësishme, atë të liderve të Procesit të Berlinit. Për herë të parë ky samit zhvillohet në një vend të Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që në Rinas pritet të zbresin një e nga një delegacionet e vendeve kryesore të BE-së, përfshirë presidentin francez Emanuele Macron, dhe kancelarin Olaf Scholz. Samiti pritet që të ndahet në dy sesione, gjithçka do të nisë në orën 11 me pritjen zyrtare të liderve, për t’u mbyllur në orën 19:30.

Fjalën hapëse të samitit të Procesit të Berlinit do e nisë kryeministri Rama, më pas parashikohet që të flasin kancelari gjerman Olaf Scholz, Presidentja e KE-së, Von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel. I gjithë takimi, që do të zhvillohet në ambientet e rikonstruktuara të ish-Piramidës, pritet që të shoqërohet me masa të shtuara nga ana e Policisë së Shtetit, ndërkohë që në akset kryesore të Tiranës pritet bllokimi i rrugëve.

Takim Rama-Begaj për axhendën

Në kuadër të përgatitjes së axhendës së Samitit, gjatë ditës së djeshme kryeministri Edi Rama dhe presidenti Bajram Begaj patën një takim të përbashkët mes tyre. Jo vetëm samiti është një eveniment i rëndësishëm, por për herë të parë vjen në Tiranë dhe një president francez si Emanuele Macron.

Albin Kurti dhe Rama takohen pas shumë muajsh përplasjes

Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka konfirmuar për mediat në Kosovë pjesëmarrjen e kryeministrit Albin Kurti në Samitin e Procesit të Berlinit që do të zhvillohet në Tiranë më 16 Tetor.

Së fundmi marrëdhëniet mes dy kryeministrave Edi Rama dhe Albin Kurti kanë qenë të ftohta, për shkak se qeveria shqiptare anuloi pjesëmarrjen në mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive që pritej të zhvillohej në Gjakovë këtë vit. Ndërkohë gjatë një turi që mori kryeministri Edi Rama në vendet e rajonit, nuk u prit nga Kryeministri Albin Kurti kur shkoi në Prishtinë.

Opozita paralajmëron protestë të hënën?

Në një kohë që qeveria bëhet gati për Samitin, ish-kryeministri Sali Berisha tha se opozita po bëhet gati që në datën 16 Tetor të tregojë fytyrën e vërtetë të Edi Ramës.  Nuk dihet nëse skenari bën fjalë për një protestë si në 6 dhjetorin e vitit të kaluar kur liderët e BE-së erdhën në Tiranë. Në atë tubim Sali Berisha u qëllua me grusht në tubimin që organizoi.

“Kemi të bëjmë me një regjim, i cili për konjukturat gjeopolitike të kohës, pret me 16 tetor, Samitin e Berlinit. Ne e mirëpresim samitin, pa diskutim, por ne do bëjmë gjithçka për të paraqitur para audiencës së nderuar evropiane, të vërtetat e Edi Ramës dhe regjimit të tij.

Kjo sigurisht jo me asnjë qëllim tjetër, përveçse një informim korrekt në të gjitha nivelet, për këtë regjim që bazohet në krimin, në drogën dhe vjedhjen e qytetarëve shqiptarë. Mediat kanadeze publikuan një artikull të gjatë të tërë për kartelin e Sinaloas dhe miqtë e Edi Ramës, Luftar Hysën, etj.

Pra, të gjitha këto e bëjnë më të komplikuar betejën tonë, por ne do e bëjmë këtë betejë, se ne kemi të drejtën, ne kemi të vërtetat me vete. Ne nuk shtojmë, nuk deformojmë asnjë të dhënë”, tha ai.

Çfarë është Samiti i Procesit të Berlinit?

Samiti i Berlinit apo siç njihet nisma për procesin e  Berlinit, u iniciua nga kancelaria e atëhershme gjermane, Angela Merkel, me qëllim të lidhjes dhe integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor përpara se të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Procesi i Berlinit shërben si një platformë për bashkëpunimin e vendeve të Ballkanit, si Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Në këtë proces janë të përfshira edhe institucionet e BE-së.

/Zëri.ai 

Poll

MOS HUMB