
TIRANË- 510 milionë lekë janë akorduar nga qeveria si shpenzime për shërbimet qeveritare në Samitin e Procesit të Berlinit që mbahet në Tiranë. Fondi është ndarë me Vendim të Këshillit të Ministrave dhe do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2023. Për zbatimin e këtij vendimi, janë ngarkuar Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare.
Vendimi:
VENDIM Nr. 569, datë 6.10.2023 PËR NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2023, MIRATUAR PËR DREJTORINË E SHËRBIMEVE QEVERITARE, PËR PËRBALLIMIN E SHPENZIMEVE TË ORGANIZIMIT NË TIRANË TË SAMITIT TË PROCESIT TË BERLINIT, DATË 16 TETOR 2023
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr. 9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr. 84/2022, “Për buxhetin e vitit 2023”, mepropozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave.
VENDOSI:
1. Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, në buxhetin e miratuar për vitin 2023, i shtohet fondi prej 51 000 000 (pesëdhjetë e një milionë) lekësh, për përballimin e shpenzimeve të organizimit në Tiranë të Samitit të Procesit të Berlinit, datë 16 tetor 2023.
2. Efekti financiar, prej 51 000 000 (pesëdhjetë e një milionë) lekësh, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2023.
3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.