
TIRANË- Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka sqaruar deklaratën e tij lidhur me një "divorc" mes dy prej forcave më të mëdha opozitare në vend, PL dhe Partia Demokratike. Sot, në një intervistë të dhënë për gazetaren Oliverda Allmuça në MCN, Meta shprehet se Partia e Lirisë ka detyrimin për t’u përgatitur sikur do të hyjë vetëm në zgjedhjet e 2025. Deklaratë, e cila u mor si një ndarje me Berishën dhe me Partinë Demokratike.
Por i kontaktuar nga "Zëri.ai", Meta iu përgjigj lajmeve me vetëm një fjalë: Keqinterpretime!
Ndër të tjera ish-Presidenti Meta tha se ishte i gatshëm që ta çojë para projektin e partisë së tij edhe i vetëm, megjithëse u kujdes të shtonte se është i hapur për bashkëpunime, vetëm me Partinë Demokratike të Kuvendit të 11 dhjetorit. Megjithatë duket se "divorci" i vetëm këtë mbrëmje ka ndodhur mes Gazment Bardhit dhe Lulzim Bashës. Ky i fundit e përjashtoi Bardhin nga grupi i tij në Partinë Demokratike./Zëri.ai