
IZRAEL- 11 shtetas shqiptarë kanë udhëtuar në orët e para të mëngjesit të sotëm nga Izraeli për në Shqipëri përmes një fluturimi të organizuar nga Mali i Zi.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme thotë se po vijon të shohë të gjitha mundësitë dhe është në kontakt edhe me ministritë e vendeve të tjera të rajonit për t’i ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve që kërkojnë të kthehen në vendet e tyre.
“Jetoj në Izrael ka 29 vite, por në këto ditë të veçanta që po kalon Izraeli, ishte shumë e vështirë për mua. Me ndihmën e Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, me ndihmën e madhe të tyre dhe të palodhur që ata kanë bërë, neve na bënë të mundur që të udhëtojmë drejt Shqipërisë. Unë i falenderoj shumë nga zemra, unë dhe familja ime”, u shpreh një shqiptare.
“Jemi shumë të mërzitur, të stresuar, na qan zemra për këtë tragjedi që ka ndodhur ditët e fundit. U larguam nga Izraeli me një dhimbje shumë të madhe në zemër, por prapë së prapë falënderojmë nga zemra Ambasadën Shqiptare, Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë që kanë ndjekur gjatë gjithë kohës gjendjen, ka kanë ndihmuar për çdo gjë, që të kthehemi në atdhe dhe të jetojmë disa ditë të qeta”, tha një shqiptare tjetër e evakuuar nga Izraeli.
Nga e shtuna kur nisi dhe konflikti i armatosur mes Izraelit dhe Palestinës, dhjetëra qytetarë shqiptarë janë kthyer në vend, për shkak të shmangies së çdo situate të rrezikshme. Dy netë më parë u sollën me avion në Shqipëri 40 persona, mes tyre dhe shqiptarë të Kosovës. Ambasada thotë se ka kontakte me çdo shqiptar që do të kthehet në vend nga Izraeli./Zëri.ai