
TIRANË- Kuvendi i Shqipërisë ka nisur me një minutë heshtje në nder të oficerit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Ky i fundit, u qëllua për vdekje në Banjskë, të dielën e shkuar pas një përplasje me një grup të armatosur serb. Me nisjen e diskutimit të rendit të ditës, deputetët Saimir Korreshi dhe Erion Braçe patën dhe një përplasje mes tyre. Në fjalën e tij nga salla e Kuvendit, Saimir Korreshi kërkoi hetim të "rrjedhjes" së tollonave të naftës që duhet të shkonin për fermerët, ndërkohë që përgjigjen e mori nga socialisti, Erion Braçe.
DEBATI MES TYRE:
Korreshi: Nuk po i shesin dot as grurin dhe as misrin. Fermerët po bëjnë vetëm selfie në toka. Prapë se prapë nuk po e shesin dot as grurin dhe as misrin. Për të ndihmuar më tej, po përmend disa emra. Dua të rikujtoj se grurin e kemi në magazina. Iku gruri erdhi misri. Më pyesin nga Lushnja, kush i mori subvencione, por atyre që i mori era serat. Keni shkuar t'i pyesni? Si ka mundësi që Lushnja nuk ka një laborator, po shkojmë Fushë Krujë të bëjmë analizën e tokës. Tollonat e naftës pse u ndanë 2 ditë para zgjedhjeve. Pse nuk e kanë marrë një pjesë tollona nafte? Bujqësia vërtetë nuk është breshër, por është në ditën e saj më të zezë. Iu çoj unë në çdo tokë.
Braçe: Meqë u more me mua, mund të të tregoj edhe ndonjë gjë tjetër unë ty. Ka në këtë sallë socialistë më shumë se demokratë. Fenomenet klimatike nuk kanë lidhje me qeverinë. Kur njëri në këtë sallë merrte shalqirin dhe i fuste kastravecin brenda, unë flisja për ndryshimet klimaterike. Po, ka një problem me grurin. Me kartelin e grurit. Që fillon tek Unaza e Lushnjes deri tek PD-ja zyrtare. Po nuk u shpërble ai kartel, kështu do të vazhdojë.
Korreshi: Meqë mu referove si deputet i Divjakës, tek këneta e Karavastasë ka 2 vjet që po rruhen lekët. Mirë është, ne kemi kërkuar Komision hetimor. Të vijë dhe ta vërtetojë ministrja kush ka marrë naftë dhe kush jo. Po deshët me emra hajde flasim. Unë kërkoj Komision Hetimor për të zbuluar se kush i ka "rruajtur lekët".
Ndërkohë që brenda ka nisur diskutimi dhe përplasjes mes maxhorancës dhe opozitës, jashtë Kuvendit po mbahet një protestë. Lëvizja Bashkë është mbledhur para Kuvendit me pankarta në duar ndërsa kërkojnë miratimin e minimumit jetik. Ata kërkojnë një minimum jetik me vlerën mbi 20 mijë lekë të vjetra.
Gjatë fjalsë tij deputeti socialist Erion Braçe u ndal dhe tek pensionet me Greqinë. Sipas tij qeveria duhet të ushtrojë presion mbi autoritetet greke, pasi sipas tij Greqia është i vetmi vend që nuk bën asnjë përpjekje për të njohur sigurimet e punëtorëve shqiptar.
Braçe: E vetmja që nuk bën asnjë hap është Greqia, edhe pse shqiptarët që jetojnë atje kanë kontribuar për ekonominë greke. Ata presin e presin që të përfitojnë nga një marrëveshje. Unë mendoj që kjo nuk mund të jetë çështje qe qeverisë, por është themelore për të kuptuar që duhet të bëhet çështje e parlamentit, e komisioneve parlamentare, nga i jashtmi te i ekonomisë e me radhë me qëllim që presioni mbi autoritetet greke të arrijë në maksimum për të marrë atë që ju takon punëtorëve shqiptarë.
Dhe sulmi terrorist në veri të Kosovës solli debate në Kuvend. Pas fjalës së ministrit të Jashtëm Igli Hasani, i cili e cilësoi sulmin si një tentativë për të destabilizuar Kosovësn dhe se BE dhe SHBA duhet të marrin masa, reagoi kreu i grupit të Partisë Demokratike Gazment Bardhi. Ky i fundit u shpreh se priste që Hasani të dënonte Serbinë ndërsa me ironi iu drejtua duke i thënë se lexoi në Kuvend statuset e kryeministrit Edi Rama.
DEBATI:
Igli Hasani: Qeveria ka dënuar aktin kriminal në Kosovë. Ka tentativa të rrezikshme për të destabilizuar Kosovën. Nxitësit duhet të ndëshkohen. Dita e zisë në Beograd është sinjali më i keq që i jep rajonit. BE dhe SHBA duhet të ngrenë lart alarmin për përshkallëzimin e situatës dhe garantimin territorial të Kosovës. Duhet të ketë shtim të KFOR-it si garanci për sigurinë në Kosovë.
Gazment Bardhi: Prisja nga ministri i jashtëm që të dënonte rastin dhe prisja të merrja vesh nëse ka kërkuar sqarim për deklaratat e kryeministrit mbi marrjen që duhet t’i bëj KFOR veriut të Kosovës. Prisja gjithashtu që ministri të fliste se a ka kërkuar masa Shqipëria për Serbinë. Kjo sallë sot duhet të kishte çështjen e Kosovës për diskutim. Çfarë po bën ministria jonë e jashtme për sulmin ndaj Serbisë. Me keqardhja ministri jonë i jashtëm lexoi statuset që ka bërë kryeministri këto 48 orë e fundit.
LIVE NGA SEANCA PLENARE: