
ZAGREB - Kryeministri shqiptar Edi Rama, në fjalën e tij në konferencën për mediat me kryeministrin kroat Andrej Plenkoviç, deklaroi se Tirana për herë të parë nuk ka qenë dakord me një deklaratë të Bashkimit Europian, për situatën në Kosovë.
Rama tha se qëndrimi i Tiranës është që Beogradi nuk duhet të mbante ditë zie për terroristët e vrarë në Banjskë të Zveçanit, sepse kishim të bëjmë me një grup të armatosur, që po përplasej me policinë e Kosovës. Ai tha se duhet të merren masa ndaj Serbisë sa më shpejt.
Ndërsa, kreu i qeverisë Plenkoviç deklaroi se solidarizohet me Kosovën, në lidhje me atë që ka ndodhur në Zveçan. Sipas Plenkoviç, ngjarja ishte një incident serioz dhe se paqja e stabiliteti duhet të kthehet në rajon.
Rama: Duhej një qëndrim i qartë ndaj Serbisë për zhvillimet në Kosovë. Tirana për herë të parë nuk mbështeti një deklaratë të BE-së. Ne konsiderojmë se vrasja e një polici të Republikës së Kosovës nga një grup kriminal veshur ushtarakisht në territorin e Republikës së Kosovës dhe zija kombëtare në Beograd janë të pajustifikueshme, të papranueshme dhe të dënueshme në të gjitha nivelet.
Ky është qëndrimi ynë dhe duke qenë promotor të dialogut e normalizimit, nga paqja që kalon nga njohja e Republikës së Kosovës, ne konsiderojmë këto dy zhvillime, janë tepër të rënda. Beogradi nuk mund të shpallte ditë zie për vrasjen e disa personave, që nuk kishin as uniforma shtetërore. Është pozitive që ushtria serbe po tërhiqet, por është negative që ushtria serbe përdoret për shfaqje, që nuk i shërbejnë integrimit dhe paqes.
Plejkoviç: Kroacia dënon me forcë vrasjen e policit të Kosovës nga grupi i armatosur. Operacioni ishte i planifikuar. Ngjarja është një incident serioz. Është sinjal, që ka forca që duan të destabilizojnë Ballkanin dhe rajonin. BE duhet që të përkrahë Kosovën, sepse bëhet fjalë për territor të Kosovës. Kemi dëgjuar mesazhe të qarta ndaj Serbisë që të tërheqë trupat në kufi me Kosovën dhe urojmë që stabiliteti të kthehet.
Pa pasur fare në duar raportin ndërkombëtar, nëse flasim në aspektin politik dhe në aspektin e qëndrimit të një shteti në raport me disa norma dhe vlera të Europës të cilës i përkasim, kjo është qartësisht e mjaftueshme, që minimalisht ato masa ndaj Serbisë, që Komisioni mund të marrë, të ishin marrë menjëherë dhe duhet të merren pa humbur kohë. Kjo sepse është në lojë një gjë shumë më e madhe se kaq, fati i një procesi, që kërkon një qëndrim të drejtë dhe pa diskutim të shpejtë të BE-së, që është ura e një dialogu, që nuk duhet të dështojë në asnjë mënyrë. Nuk ka nevojë për hetim ndërkombëtar për të hedhur këto hapa. Hetimi ndërkombëtar le të vijë, nuk është se përbën ndonjë problem.
Çfarë ndodhi në veri të Kosovës më 24 shtator?
Në orët e para të mëngjesit të së dielës, Kosova u trondit nga një sulm në drejtim të punonjësve të policisë, ku u vra polici Afrim Bunjaku, dhe mbetën të lënduar dy kolegë të tij. Pas ngjarjes mobilizimi i punonjësve të policisë ishte i menjëhershëm, ndërkohë që agresorët gjetën strehim brenda në Manastirin e Banjskës, ku u mbajtën të rrethuar nga policia, e 3 prej tyre u ekzekutuan fizikisht, ndërsa 6 të tjerëve iu vunë prangat. Autorësinë për sulmin e mori Milan Radoiçiç, i cili gjithashtu hoqi dorë nga posti si nënkryetar i Listës Serbe. Pritet që të dorëzohet dhe të merret nën hetim, ndërkohë vila e tij në Kosovë është kontrolluar për prova. Teksa Kosova shpalli një ditë zie për oficerin e vrarë në krye të detyrës, edhe Serbia uli flamurin në gjysmë-shtizë më 27 shtator, duke 'nderuar' 3 të vrarët në Banjskë./Zëri.ai/