
ZAGREB – Kryeministri i vendit Edi Rama ndodhet për një vizitë zyrtare në Zagreb, Kroaci. Shefi i qeverisë shqiptare është pritur me ceremoni zyrtare nga kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç. Në këtë vizitë, Rama po shoqërohet edhe nga ministri i Financave, Ervin Mete, por edhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Albana Koçiu.
Rama në konferencë për media me homologun kroat përmendi faktin se BE ka pezulluar fondet për programin e IPARD në Shqipëri. Kryeministri nga Zagrebi deklaroi se do të ketë një riorganizim të administrimit të fondeve të Bashkimit Europian për Bujqësinë.
Rama gjithashtu deklaroi se Shqipëria ka kërkuar mbështetje në lidhje me procesin e negociatave, sigurinë kibernetike dhe turizmin.
“Ne kemi përfituar tashmë, falë ndihmës së Kroacisë, një mbështetje direkt për në procesin e negociatave në Bashkimin Europian dhe duam të përfitojmë sa më shumë mbështetje me dije për turizmin, për sigurinë kibernetike, për ndihmën aktive në funksion të punësimit, si dhe për të trajtuar në mënyrë specifike disa korrektime të domosdoshme, që do të bëjmë në fushën e administrimit të fondeve të Bashkimit Europian për bujqësinë, sepse një rast të ngjashëm, ka pasur edhe Kroacia përpara shumë kohësh. Ne na intereson shumë të mësojmë për adresimin struktural, që qeveria kroate ka bërë në këtë drejtim”, tha kryeministri Rama.
Në fokus të diskutimeve ishte forcimi i bashkëpunimit ekonomik mes dy shteteve. Kreu i qeverisë së Tiranës, gjatë fjalës së tij në konferencë për mediat deklaroi: “I nderuar krryeministër i Kroacisë. Kroacia është një shembull për ne, është një burim frymëzimi në procesin tonë drejt ecjes sonë për t’u integruar në BE. Kemi prekur tema si energjia dhe infrastruktura, sepse bashkë me Kroacinë jemi bashkë në një plan për Korridorin Adriatko-Jonian.
Ne jemi anëtar të NATO-s, sikundër Kroacia dhe dënojmë Rusinë në agresionin e saj. Ne jemi për paqe e stabilitet në rajon. Duke qenë se jemi pjesë e NATO-s, na takon që të proklamojmë stabilitetin rajonal. Kryeministri Plejkoviç ka konfirmuar se do jetë në Tiranë. Dua ta falënderoj Andrejn për mikpritjen dhe gatishmërinë për të na asistuar me dijen e këtij vendi, njëkohësisht dhe për miqësinë e partneritetin, që ne e shohim si ndër partneritetet më të rëndësishme”.
Çfarë u nënshkrua në Kroaci?
Në kuadër të vizitës zyrtare, Kroacia ka nënshkruar dy marrëveshje me Shqipërinë, në fushën e ekonomisë dhe atë të shëndetësisë.
Kroacia i është shtuar listës së vendeve, me të cilat Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje për njohje reciproke të kontributeve të sigurimeve shoqërore, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të mos humbasin ditë pune për njohje të pensionit.
Një ditë më parë, më 1 tetor, hyri në fuqi marrëveshja me Zvicrën, ndërkohë që Shqipëria zbaton marrëveshje në fushën e sigurimeve shoqërore me Turqinë, Hungarinë, Çekinë, Kanadanë, Gjermaninë, Maqedoninë e Veriut, Luksemburgun, Kosovën, Austrinë dhe Belgjikën. Janë në proces ratifikimi nga palët e huaja marrëveshja me Rumaninë, Bullgarinë dhe Malin e Zi.
Po ashtu, midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale së Shqipërisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kroacisë është firmosur një plan bashkëpunimi në Fushën e Shëndetit dhe Mjekësisë për vitet 2024-2026.
Rama në Kroaci: Beogradi nuk duhet të mbante zi për terroristët
Kryeministri shqiptar Edi Rama, në fjalën e tij në konferencën për mediat me kryeministrin kroat Andrej Plenkoviç, deklaroi se Tirana për herë të parë nuk ka qenë dakord me një deklaratë të Bashkimit Europian, për situatën në Kosovë.
Rama tha se qëndrimi i Tiranës është që Beogradi nuk duhet të mbante ditë zie për terroristët e vrarë në Banjskë të Zveçanit, sepse kishim të bëjmë me një grup të armatosur, që po përplasej me policinë e Kosovës. Ndërsa, kreu i qeverisë Plenkoviç deklaroi se solidarizohet me Kosovën, në lidhje me atë që ka ndodhur në Zveçan. Sipas Plenkoviç, ngjarja ishte një incident serioz dhe se paqja e stabiliteti duhet të kthehet në rajon.
Rama: Duhej një qëndrim i qartë ndaj Serbisë për zhvillimet në Kosovë. Tirana për herë të parë nuk mbështeti një deklaratë të BE-së. Ne konsiderojmë se vrasja e një polici të Republikës së Kosovës nga një grup kriminal veshur ushtarakisht në territorin e Republikës së Kosovës dhe zija kombëtare në Beograd janë të pajustifikueshme, të papranueshme dhe të dënueshme në të gjitha nivelet.
Ky është qëndrimi ynë dhe duke qenë promotor të dialogut e normalizimit, nga paqja që kalon nga njohja e Republikës së Kosovës, ne konsiderojmë këto dy zhvillime, janë tepër të rënda. Beogradi nuk mund të shpallte ditë zie për vrasjen e disa personave, që nuk kishin as uniforma shtetërore. Është pozitive që ushtria serbe po tërhiqet, por është negative që ushtria serbe përdoret për shfaqje, që nuk i shërbejnë integrimit dhe paqes.
Pa pasur fare në duar raportin ndërkombëtar, nëse flasim në aspektin politik dhe në aspektin e qëndrimit të një shteti në raport me disa norma dhe vlera të Europës të cilës i përkasim, kjo është qartësisht e mjaftueshme, që minimalisht ato masa ndaj Serbisë, që Komisioni mund të marrë, të ishin marrë menjëherë dhe duhet të merren pa humbur kohë. Kjo sepse është në lojë një gjë shumë më e madhe se kaq, fati i një procesi, që kërkon një qëndrim të drejtë dhe pa diskutim të shpejtë të BE-së, që është ura e një dialogu, që nuk duhet të dështojë në asnjë mënyrë. Nuk ka nevojë për hetim ndërkombëtar për të hedhur këto hapa. Hetimi ndërkombëtar le të vijë, nuk është se përbën ndonjë problem.
Plejkoviç: Kroacia dënon me forcë vrasjen e policit të Kosovës nga grupi i armatosur. Operacioni ishte i planifikuar. Ngjarja është një incident serioz. Është sinjal, që ka forca që duan të destabilizojnë Ballkanin dhe rajonin. BE duhet që të përkrahë Kosovën, sepse bëhet fjalë për territor të Kosovës. Kemi dëgjuar mesazhe të qarta ndaj Serbisë që të tërheqë trupat në kufi me Kosovën dhe urojmë që stabiliteti të kthehet. /Zëri.ai/