
TIRANË- Bujtina "Melesin" e denoncuar nga ZËRI ka përfunduar në Kuvendin e Shqipërisë. Nga foltorja e Kuvendit, deputetja e Partisë Demokratike,Sorina Koti në fjalën e saj në Kuvend foli për Kolonjën, ku përmendi edhe një tjetër "investim strategjik" të bashkëshortit të deputetes socialiste Olta Xhaçka, Artan Gaçi. Sipas Kotit, investimi është bërë në zonë por nuk po përfitojnë banorët pasi Gaçi ka privatuar edhe llixhat dke hapur bujtina private.
Përgjigjen e ka marrë nga Olta Xhaçka, e cila në asnjë moment nuk e ka mohuar se investimi është bërë nga bashkëshorti i saj, por u shpreh se të investosh nuk është mëkat. Madje u mburr se Kolonja ka pasur rivitalizim prej këtyre investimeve.
DISKUTIMI MES TYRE:
Sorina Koti: Çfarë ka bërë deri më sot Olta Xhaçka për Kolonjën meqë vjen nga ajo zonë? Si mund të ndërtosh në atë zonë dhe mos përfitojnë banorët? Kështu ka bërë bashkëshorti i saj, kanë privatizuar llixhat dhe kanë hapur bujtina private. Unë mora guximin pasi ju premtova qytetarëve të Kolonjës që do e thoja këtë gjë. Në Kolonjë ndërtohet me paratë e shqiptarëve, sot nëse ka dikush që duhet të flasë janë ata. Paratë e shqiptarëve duhet të shkojnë për ato investime. Unë jam për atë drejtësinë që ata që cënojnë paratë e shqiptarëve të shkojnë në burg. Kanë ndërtuar aty bujtina private, në pasurinë e Kolonjës nuk duhet të përfitojnë vetëm pushtetarët. Paratë të shkojnë për investime publike.
Xhaçka: E konsideroj guxim të madh që të flasësh broçkulla. Për turistët kemi shumë respekt dhe i trajtojmë shumë mirë kur vijnë në Kolonjë, por të kesh paturpësinë që investimet privatë janë në dëm të qytetarëve të Kolonjës është herezi. Që të thuash që ka investitorë që duan të kontribuojnë në atë zonë dhe ky qenka mëkat, vetëm politikë nuk mund t'i thuash. Kolonja ka pasur rivitalizim. Zonjë të ftoj që të vish dhe ta shohësh realitetin për atë që është, do të të mirëpresim në shumë bujtinat që po hapen në atë zonë për të treguar që duhet ta rizgjojmë dhe ta bëjmë të mirëqenë. Jo ashtu siç ka qenë por ashtu si do të bëhet.
Disa javë më parë, veç hotelit në Himarë, ZËRI publikoi të tjera aktivitete të Artan Gaçit në fushën e biznesit, të cilat përkojnë në kohë edhe me aktivitetin politik të Xhaçkës në qarkun e Korçës, ku çifti administron hotelin më luksoz të zonës, në mes të askundit, në Leskovik.I fshehur kudo nga rrjetet sociale, ky hotel-distileri ka qenë objekt hotelerie edhe më herët. Objekti ka qenë në pronësinë e biznesmenit Ekrem Bardha, që më pas ia ka kaluar këtë pronë Artan Gaçit. Pas zbulimit, ZËRI iu ka dërguar disa herë një kërkesë për informacion lidhur me burimin e parave për ngritjen e kësaj bujtine, por kurr nuk mori një përgjigje. Sipas deklaratave të dorëzuara në ILDKPKI, çifti rezulton pa një pasuri të konsiderueshme që do të justifikonte ndërtimin e një hoteli me vlerë disa milionë euro. Por mesa duket sipas Xhaçkës, investimi nuk është 'mëkat'/ZËRI