
TIRANË-Ka nisur seanca plenare, e cila në rend ka diskutime mbi problematikat që deputetët kanë hasur gjatë takimeve me zgjedhësve në “Javën e Gjelbër”. Në nisje të fjalës së tij, kreu i grupit të PD-së Gazment Bardhi tha se Kuvendi duhet të distancohet nga sjellja e kryeministrit Edi Rama ndaj 'Rai3'. Bardhi tha se me këtë refuzim të interpelancës po shkelet kushtetuta, ndërsa shtoi se Kuvendi duhet të distancohet nga sjellja e Ramës ndaj medias shtetëore italiane, duke e konsideruar dokumentarin si “tupërim” për Ramën dhe jo turpërim për Shqipërinë.
Fjala e plotë:
Ky Kuvend sot, edhe në emër të qytetarëve që përfaqësojmë në këtë sallë, duhet të distancohet nga sjellja e Edi Ramës ndaj medias shtetërore italiane Rai 3, por mbi të gjitha duhet të distancohen nga modeli qeverisës që ka ndërtuar Edi Rama, model që turpëron shqipërinë. Ish këshilltari i Edi Ramës, ish magjistrati i njohur italian Mandoi, na ripohoi atë që kemi thënë si opozitë cdo ditë, që anëtarët e mafias shqiptare, të krimit të organizuar apo narkotrafikantët kanë përfaqësuesit e tyre brenda institucioneve dhe kanë mundësi perfekte për të kushtëzuar veprimet e qeverisë. E vërteta nuk turpëron Shqipërinë të nderuar kolegë, por sigurisht turpëron Edi Ramën, prandaj është fshehur ka një muaj. Të thuash të vërtetat lidhur me Edi Ramës, nuk ka aspak të bëjë me imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Imazhi i Olsit dhe Olsave të shumtë të Edi Ramës, nuk është imazhi i Shqipërisë dhe shqiptarëve. Imazhi i vërtetë i Shqipërisë dhe shqiptarëve, janë ata qytetarë të ndershëm të këtij vendi, që nuk përfshihen në trafik droge, që nuk pasurohen përmes korrupsionit madhor, që punojnë me ndershmëri, pavarësisht vështirësive që i krijon keqqeverisja jote 11 vjeçare, që shkëlqejnë në çdo sektor në Itali dhe çdo vend të botës. -Çfarë konsiderohet qeveria e një shteti që të dënuarit për trafik droge në Itali, i bëri deputetë, kryetar bashkie dhe drejtues të lartë në administratën publike? -Cfarë konsiderohet qeveria e një shteti që Ministrin e Brendshëm e ka të dënuar për shpërdorim detyre se në vend që të luftonte, mbështeti familjarët e tij të përfshirë në trafik droge? -Çfarë konsiderohet qeveria e një shteti ku Prokuroria e Posaçme pohon se nuk bashkëpunon dot me Policinë e Shtetit gjatë aksioneve kundër krimit të organizuar, sepse i rezulton që drejtues të lartë të Policisë bashkëpunojnë me krimin e organizuar? -Çfarë konsiderohet qeveria e një shteti që Kryeministri i vendit sipas medias shtetërore belge përmendet në dosjen e trafikantëve ndërkombëtar të drogës që po hetohen në Bruksel si pjesë e përgjimeve SKY ECC? -Çfarë konsiderohet qeveria e një shteti ku vëllai i Kryeministrit përdor të njëjtin automjet që përdorin krerët e organizatës së ndërtimit të laboratorit të Xibrakës, i pari laborator kokaine në vend dhe më i madhi në Ballkan?
Përgjigjen e ka dhënë me guxim, profesionalizëm dhe fakte investigimi i televizionit shtetëror italian “Rai 3”. Ky investigim në asnjë rast nuk sulmon Shqipërinë, por nxjerr të vërtetat lidhur me Qeverinë e Edi Ramës, që ka treguar në këto 11 vjet se ka fuqizuar krimin e organizuar dhe dobësuar qytetarin e ndershëm. Nicola Gratteri, prokuror i Antimafias në Napoli na konfirmoi se: Mafia shqiptare është e fortë sepse vjen nga shtet ku ka një korrupsion të përhapur. Kështu organizatat kriminale që vijnë nga Shqipëria janë menjëherë të pasura, të forta dhe të pushtetshme. Mafia shqiptare tashmë është strukturuar dhe ka arritur të punojë në bashkëpunim me N’Drangheta. Ka disa vite që e shohim edhe në Amerikën e Jugut dhe është e aftë që edhe në mënyrë të pavarur të sjellë në Itali dhe në Europë tonelata kokaine. Prandaj dhe shqetësimi kryesor i qytetarëve është rikthimi i qeverisjes në shërbimin e tyre. Edi Rama mund ti fshihet Kuvendit, por kërkesës së qytetarëve që qeverisja të jetë në shërbim të tyre, nuk i fshihet dot për gjatë.
Pas tij, fjalën e mori ministrja Elisa Spiropali, e cila i dha një përgjigje Bardhit duke u shprehur se dokumentari në Rai3 ishte një sulm i turpshëm për Shqipërinë. Sipas saj, opozita ra pre e shpifjeve.
Spiropali: E bleu dhe RAI-n ky diktatori Tiranës që ka blerë 9 fitore, mund t’i ketë çuar RAI-t 70 mln euro nga ato që i kanë tepruar pasi ka blerë Melonin. Pasi shpikën e sajuan, prenë dhe qepën, çfarë dëgjojnë dhe mendojnë se shpik makthi i tyre i madh, tani kërkojnë hesap për të kuptuar atë që kanë dëgjuar. Bërtasin nga penxherja ne penxherja, nuk ka rëndësi përbaltja por të tregtohet nga shejtan budallenj. Këtu zë fill dhe marrëzia e tyre që kanë humbur fillin. Edhe RAI qenka shitur tek Edi Rama, meqë episodi i mbrëmshëm nuk paska vazhduar të sjellë në Tiranë produktin e KUZM mbi fytyrën e Shqipërisë për tu derdhur në shtëpitë italiane,. Kjo na qenka forca e radhës e fuqisë së Edi Ramës censuruese. Drejtuesi nuk ka paralajmëruar asgjë tjetër përveçse do vazhdojë të merret emigrantë, por pa hedhur asnjë gram baltë për Shqipërinë dhe Shqiptarët. Kaq ka mjaftuar që ai të shpallet i shitur. Operacioni gënjeshtrash shpifjes duke mashtruar autorët e atij programi që ranë pre e manipulimit të xhahilëve të vendit tonë. Nuk do kalem të shkruhet se kësaj radhe historia kokë përmbyset. Nëse zakonisht është babai që gënjen të birin të tokave që nuk ka, është i biri që me sy e vesh tregon pse babait i kanë humbur arat dhe i kanë thyer trofetë. I shprehim solidaritetin tonë drejtuesit për këtë sulm të turpshëm./ZËRI