
TIRANË- Dy ditë pas arrestimit të kryebashkiakut në detyrë të Himarës, Jorgo Goro për çështjen e tjetërsimit të tokave në bregdet, prej të cilave ka përfituar dhe ish-deputeti i Partisë Socialiste Artan Gaçi, bashkëshorti i ish-ministres së Jashtme Olta Xhaçka, Gazment Bardhi ka dorëzuar një shkresë në Kuvend. Në shkresën e tij, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi i është drejtuar sot zyrtarisht Kuvendit të Shqipërisë që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetes Olta Xhackës, i cili nuk zbatohet prej 1 viti e 2 muajsh. Ndaj edhe në shkresën e tij, Bardhi kërkon të mblidhet konferenca e Kryetarëve dhe t' hiqet mandati deputetes socialiste Olta Xhaçka. Nënkryetari i Partisë Demokratike thekson edhe njëherë se familja e saj ka përfituar statusin e investitorit strategjik, në kushtet flagrante të shkeljes së ligjit dhe konfliktit të interesit.
“Ky rast merr përmasat e një mbrojtjeje të pastër politike dhe pengimit të drejtësisë, po të mbahen në konsideratë edhe të dhënat e reja të hetuara dhe bëra publike nga SPAK, nga ku ka rezultuar se pronësia mbi tokën është përfituar me dokumenta tërësisht të falsifikuara duke bërë të mundur që një tokë bujqësore, me një sipërfaqe në total prej 10.592 m2, e ndodhur në Dhërmi/Vlorë, në pronësi shtet, të tjetërsohet përmes transaksioneve tek të tretët në favor të subjektit privat në pronësi të bashkëshortit të deputetes Olta Xhacka, duke zhveshur shtetin nga pronësia mbi të dhe duke përfituar me dokumente të falsifikuara statusin e investitorit strategjik nga Kryeministri Edi Rama dhe të drejtën për të zhvilluar një projekt me vlerë 5 milion euro në fushën e turizmit", shkruan Bardhi.
Sipas Bardhit, është e papranueshme mbrojtja politike dhe pengimi ndaj drejtësisë që mazhoranca po bën për rastin e ish-ministres dhe deputetes Olta Xhaçka, duke penguar zbatimin e Gjykatës Kushtetutese.



“Ky është rasti i dytë i evidentuar në pak kohë, ku shtetit i grabiten me dokumente të falsifikuara pronësia në bregdet, për t’ia kaluar miqve apo bashkëpunëtorëve të Kryeministrit Edi Rama. Kujtojmë këtu se në një situata identike 390 mijë metra tokë në pronësi të shtetit në plazhin e Velipojës, u përfituan përmes falsifikimeve nga miku i Kryeministrit Edi Rama, shtetasi i arrestuar si pjesëmarrës në krimin e organizuar Pëllumb Gjoka, dhe ku më pas Kryeministri Edi Rama i miratoi një projekt investimi strategjik me vlerë 52 milion euro", shkruan Bardhi.
Në shkresën e Grupit Parlamentar të PD theksohet se Kuvendi duhet të përmbush detyrimet e tij, ndërkohë që presin nga SPAK që të hetojë në mënyrë të plotë dhe të gjithëanshme sesi këto dy subjekte private (Artan Gaçi dhe Pëllumb Gjoka), me lidhje të ngushta me Qeverinë, përmes dokumenteve të falsifikuara kanë kaluar filtrat e kontrollit të ekzekutivit dhe kanë përfituar statusin e investitorit strategjik, duke evidentuar qartë rolin e Kryeministrit dhe të cilido tjetër që është përfshirë në këto raste.
Në fund, Bardhi thekson se "çdo vonesë e mëtejshme e kësaj çështje do të ishte dhunimi më flagrant që Kuvendi i ka bërë Kushtetutës në 33 vjet, si dhe një mesazh i qartë i vullnetit politik të mazhorancës socialiste për çimentimin e kulturës së pandëshkueshmërisë, përmes ofrimit të mbrojtjes politike ndaj deputetëve të mazhorancës dhe pengimit të zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetutes, institucion i dalë pas Reformës në Drejtësi dhe pjesë e asaj që sa herë i duhet për propagandë Kryeministrit e cilëson si drejtësia e re”.
Kërkesa e Gazment Bardhit për Kuvendin vjen vetëm 2 ditë pas arrestimit të kryebashkiakut në detyrë të Himarës, Jorgo Goro, i cili u vendos në pranga pikërisht për tjetërsimin e pronës që ka marrë bashkëshorti i Xhaçkës. SPAK e ka vendosur në pranga Goron, pasi ka gjetur shkelje dhe falsifikim të dokumenteve në favor të Artan Gaçit, por ky i fundit nuk është vendosur në pranga. Pas publikimit të dosjes nga ZËRI, Xhaçka reagoi duke zgjedhur që të mbronte bashkëshortin e saj, duke u shprehur se ai kishte përfituar nga një pronë private, ndonëse gjetjet e SPAK pretendojnë të kundërtën.
Teksa Xhaçka mban ende mandatin e saj, Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar 5512 m2 truall që i kishte kaluar bashkëshortit të saj, i cili në SPAK u kallëzua nga kryebashkiaku tashmë i dënuar i Himarës, Fredi Beleri. Ky i fundit kallëzoi Gaçin dhe kryebashkiakun Jorgo Goro në SPAK për këtë truall, 5512 metra katrorë tokë, që padrejtësisht i kishte kaluar familjes së Foto Pavllo Mëhillit. Për Belerin, Goro ka vendosur një parcelë në një hartë që nuk ekzistonte, ndaj edhe socialisti aktualisht ndodhet në pranga./ZËRI