
TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka lajmëruar se shumë shpejt do të shkojë në SPAK. Gjatë një konference për gazetarët, demokrati u shpreh se ka marrë një ftesë si person në dijeni, ndaj edhe do të paraqitet në ambientet e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Çështja për të cilën do të japë informacione për dosjen e Xibrakës dhe denoncimin që ai ka bërë ndaj vëllait të kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama. Sipas Bardhit, kjo dosje tashmë është e ndarë me vete.
"SPAK ka hapur procedimin penal 335/1 (dosjen e Xibrakës). Kam njoftim zyrtar dhe jam ftuar në SPAK për të dhënë informacion si person në dijeni...Tani kjo dosje e ka numrin "88". Të bëjnë një emision tani për 88. E vërteta është në letrat e shtetit shqiptar,"-tha Bardhi. Në një dokument të publikuar më pas, njoftohet se Bardhi duhet të paraqitet në SPAK, më 15 maj. Njoftimin dhe lajmin e ka bërë me dije vetë Bardhi edhe në rrjetet sociale.
POSTIMI I PLOTË:
E kam dorëzuar apo nuk e kam dorëzuar kallëzimin në SPAK kundër Ols Ramës? Këtë lojë u përpoq të bënte Edi Rama dhe veglat e tij politike dhe mediatike për të sfumuar thelbin e çështjes: se vëllai i kryeministrit kishte përdorur disa herë të njëjtën makinë me kartelin e drogës së Xibrakës, gjatë kohës së ngritjes së laboratorit të kokainës në Xibrakë. Sigurisht, që Edi Rama gënjeu, kur luajti lojën e mohimit të së vërtetës sime, se kallëzimi ishte dorëzuar në SPAK. Kur debatuam për këtë çështje i premtova Edi Ramës se do ta kuptonte shumë shpejt, nëse e kisha bërë apo jo kallëzimin. Në politikë jam futur për të shërbyer me integritet, duke refuzuar makinacionet e ulëta të sulmit të kundërshtarit politik përmes shpifjes apo baltosjes së familjes. Nuk e kam shkelur këtë parim as në rastin e Olsi Ramës, dosja e të cilit, deri dje, rrinte e fshehur, në sirtarët e prokurorisë. Sot është dita që t’ju provoj se unë as gënjej, as shpif, as baltos dhe ndryshe nga Edi Rama, i mbaj premtimet e mia. Pas kërkesës sime në SPAK për rinisjen e hetimeve të procedimit penal nr. 335/1 - viti 2016, që Edi Rama do të donte shumë në varrosej, sot jam njoftuar nga SPAK se çështja është riaktivizuar. SPAK më ka njoftuar zyrtarisht për rifillimim e hetimeve të pezulluara për përfshirjen e Olsit Ramës në dosjen e trafikimit të kokainës në Xibrakë. Procedimi i dikurshëm penal me nr. 335/1-2016, është regjistruar si procedimi nr. 88 - viti 2024. Për këtë çështje jam ftuar për të dhënë sqarime të metejshme në SPAK. Asnjë propagandë e Edi Ramës, veglave të tij apo mediave në shërbimin e tij nuk e fshehin dot të vërtetën dhe as makinën e kartelit të drogës me targë AA 653 DM, e përdorur nga Olsi Rama, vëllai i kryeministrit Edi Rama!
Pak javë më parë, kreu i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi, akuzoi Olsi Ramën si pjesë e grupit të laboratorit të kokainës në Xibrakë. Sipas Bardhit, Rama kishte lidhje dhe njohje me një prej personat kryesorë të këtij grupi, si dhe përmes sistemit TIMS është faktuar udhëtimi disa herë me të njëjtën makinë me Genci Xhixhën, Ermal Hoxhën dhe të akuzuarit e tjerë.
Sipas Bardhit, emri i Olsi Ramës ishte kursyer nga prokurorët e krimeve të rënda të asaj kohë, dhe për kërë opozita kërkoi në SPAK një hetim të ri për vëllanë e kryeministrit. Nga ana tjetër, edhe Olsi Rama kallëzoi në SPAK, Gazment Bardhin nën akuzën e shpifjes, dhe tha se njëri prej tyre duhet të përgjigjet përpara drejtësisë në lidhje me akuzat. Por SPAK nuk e pranoi kallëzimin duke shtuar se në fakt nga ana e Bardhit nuk ishte bërë asnjë kallëzim penal, por vetëm kishte ofruar informacion për një çështje të arkivuar./ZËRI