TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka bërë një deklaratë të fortë për Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Gjatë fjalës së tij dje, në Forumin e Dytë të Inovacionit, me fokus te Inteligjenca Artificiale dhe zhvillimi i sektorit të teknologjisë në Shqipëri, Rama e cilësoi si “eksperiencë negative” situatën me AKSHI-n. Sipas Ramës, kjo lidhet me standardet e ulëta të disa kompanive private që sipas tij "janë mësuar të vjelin shtetin".
"Pas eksperiencës negative që ne kaluam me AKSHI-n, për shkak të disa qasjeve jo në linjë me standardet ligjore dhe etike të disa kompanive… standardet shumë të ulëta të kompanive private, të mësuara që të mjelin buxhetin e shtetit me shërbimet e tyre, në aspektin e ofrimit të mirëmbajtjes”, deklaroi Rama në Forumin e Dytë të Inovacionit.
Kjo deklaratë e Ramës vjen në një kohë kur dosja e AKSHI-t është në qendër të hetimeve të SPAK, ndërsa biznesmenët Ermal Beqiri dhe Ergys Agasi janë mes personave ndaj të cilëve është caktuar masa arresti.
Gjatë vitit 2025, SPAK nisi hetimet për abuzime në rreth 12 procedura tenderimi të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), ku ekzistojnë indicie se gara është manipuluar për të favorizuar subjekte të caktuara ekonomike, në kundërshtim me ligjin dhe parimet e konkurrencës së ndershme.
Lidhur me hetimin ish-drejtoresha e AKSHI-t ndodhet në detyrim paraqitje, ndërsa GJKKO ka pezulluar nga detyra edhe zv/drejtorin e Policisë së Tiranës Erion Ismailaj. Pas muajsh në kërkim, u arrestuan biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj, të akuzuar për ‘grup të strukturuar kriminal’ dhe manipulim me tenderët e ASHKI-t. SPAK akuzon po ashtu ish-nëndrejtorin e AKSHI-t, Daniel Shima për “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, sipas dosjes hetimore. Megjithatë, ndaj Shimës nuk është caktuar masë sigurie, ndërsa hetimet për çështjen vijojnë./ZËRI