
TIRANË- Kreu i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike Gazment Bardhi është kallëzuar në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nga Shoqëria Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH). Sipas padisë, Bardhi akuzohet për shpifje dhe fyerje parashikuar nga nenet 119 dhe 120 të Kodit Penal.
Parashikuar sipas Kodit Penal, nëse Bardhi shpallet fajtor ai dënohet me një gjobë nga pesëdhjetë mijë gjer në një milion lekë. Sipas shortit, gjyqtarja e çështjes do të jetë Etleva Deda.
Gjithashtu, Bardhi u padit nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), për shpifje. Kjo pasi në seancën parlamentare të mbajtur më 18 dhjetor të vitit 2024, demokrati tha se janë manipuluar humbjet e energjisë elektrike në rrjet nga OSHEE. Bardhi u shpall i pafajshëm nga kjo akuzë.
Por, demokrati akuzohet sërish për shpifje, pasi ai është kallëzuar edhe nga ish-drejtori i Policisë së Shkodrës, Edmond Sulaj. Bardhi gjatë seancës parlamentare tha se Sulaj u vendos në krye të Policisë së Shkodrës nga eksponentë të krimit. Menjëherë pas kësaj reagoi ish-shefi i Policisë së Shkodrës dhe i quajti deklaratat e tij shpifje dhe se ai kishte si qëllim të dëmtonte imazhin e tij./ZËRI