Politikë

‘Kërkesat u shkruan nga e njëjta dorë’, SPAK: Agjensia e Kthimit të Pronave veproi me shpejtësi të pajustifikuar, u krijuan mbivendosje

Prokuroria thotë se kërkesat për kthimin e pronave që janë nënshkruar nga 3 prej familjeve përfituese, janë shkruar nga e njëjta dorë, pasi janë pothuajse të njëjta mes tyre

E.K
‘Kërkesat u shkruan nga e njëjta dorë’, SPAK:
Sali Berisha dhe Jamarber Malltezi

TIRANË- ZËRI zbardh detaje nga dosja e SPAK në ngarkim të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, të cilët akuzohen për korrupsion të kryer në bashkëpunim. Edhe pse në dosjen prej 500 faqesh të aktakuzës së SPAK, përmendet emrat e dhjetra personave, një pjesë e të cilëve zyrtarë, që sipas Prokurorisë kanë kryer veprime në shkelje të ligjit, ndërsa asnjërit prej tyre nuk është ngritur akuzë për vepër penale. SPAK ka renditur shkeljet e ligjit, që sipas Prokurorisë janë kryer nga Agjensia e Kthimit të Pronave, menjëherë pas ndryshimeve ligjore, që i dhanë më shumë pushtet kryeministrit, asokohe Sali Berisha.

Në dosjen e SPAK thuhet se “Agjensia e Kthimit të Pronave, ka shqyrtuar me shpejtësi të pajustifikuar, kërkesat e pesë familjeve të njohura pronare, në krahasim me kërkesat e qytetarëve të tjerë, pasur parasysh ngarkesën dhe volumin e dosjeve që kishte. Kërkesa e familjes Begeja është paraqitur në mesin e muajit dhjetor 2006. Menjëherë pas përfundimit të pushimeve dimërore, më datë 08 dhe 09 janar 2007 grupi i punës është aktivizuar për të nisur nga puna me këtë dosje. Rezulton se në muajin janar 2007 (menjëherë pas pushimeve të dimrit) janë nisur kërkesat drejtuar institucioneve si Bashki, ZRPP, konkretisht të kryera më dt 09.01.2007 përveç dosjes së familjes Begoja për të cilën shkresa drejtuar Bashkisë është nisur që më dt 08.01.2007. Vetë shtetësja Tetis Lubonja, sqaron se është një ndër dosjet e para që u janë dhënë për të punuar.

Siç mund të konstatohet, në një periudhë të shkurtër, që hapet në fund të muajit nëntor 2006 me kërkesën e familjes Saliaga, deri më 26.03.2007, rezulton të jenë dhënë 4 (katër) vendime për kthim prone, ku të gjitha pronat e kthyera, janë të përfshira në territorin e Klubeve Partizani. Në vijim, në maj 2007 është dhënë edhe një vendimi për kthimin e pronës, familjes së pestë”.

Ndërkohë që më tej, Prokuroria thotë se kërkesat për kthimin e pronave që janë nënshkruar nga 3 prej familjeve përfituese, janë shkruar nga e njëjta dorë, pasi janë pothuajse të njëjta mes tyre. Sa i takon kërkesës së familjes Begeja, ajo është dorëzuar nga Bashkim Bekteshi, daja i Jamarbër Malltezit. Sipas SPAK, grupi i punës që u ngrit për shqyrtimin e kërkesave për kthimin e pronave, rezulton që të ketë lidhje me vetë familjet.

“Kërkesat e gjendura në dosje, specifikisht ato që i përkasin familjeve Alimehmeti, Saliaga dhe Begeja janë thuajse të njëjta me njëra-tjetrën, duke vërtetuar faktin se janë përgatitur nga e njëjta dorë, mbështetur edhe në deklarimet e sipërcituara që këto kërkesa janë kryer pas mbledhjeve të anëtarëve të familjeve. Për familjen Begeja, kërkesa është paraqitur nga shtetasi Bashkim Bekteshi, daja i shtetasit Jamarbër Malltezi.

Paraqitja e kësaj kërkese konstatohet se është bërë nën udhëzimet e shtetasve Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe Jamarbër Malltezi, siç edhe rezulton nga dëshmitë e ndryshme në lidhje me takimet e zhvilluara ndërmjet trashëgimtarëve në lokalin Begeja por edhe siç pasqyrohet në deklaratën e nënshkruar nga shtetasi Bashkim Bekteshi, ku gjendet adresa e emailit të shtetasit Xhimi Begeja dhe adresa e lokalit të tij Begeja.

Grupi i punës i ngarkuar me shqyrtimin e dosjeve të pesë familjeve të njohura pronare, përbehet nga tre persona, ku të paktën dy prej tyre konstatohet se kanë lidhje me trashëgimtarët e familjeve të njohura pronare. Konkretisht, shtetësja Tetis Lubonja e cila përveç lidhjes miqësore dhe njohjeve me shtetasin Jamarbër Malltezi dhe Rudina Llagami, rezulton edhe të jetë punësuar disa vite më pas pranë shoqërisë Kontakt sh.p.k. ndërkohë që shtetasi Petrit Kullolli rezulton të ketë ofruar shërbim topografik për shtetasin Jamarbër Malltezi, vetëm dy vite më parë, për pasuritë e blera në Priskë”, citon SPAK në dosje.

Sipas Prokurorisë Agjensia për kthimin e pronave, nuk ka bërë verifikime në terren, ndërkohë që ka pasur dhe një përplasje të deklaratave të përfaqësuesve të AKP dhe Ministrisë së Mbrojtjes.

“Ka pasqyruar, sikur janë kryer verifikime në terren, më datë 09.03.2007 për familjet, ndërkohë që nuk rezulton të kenë qenë të pranishëm subjektet kërkuese, duke vërtetuar fiktivitetin e këtyre verifikimeve. Kjo gjë mbështetet edhe nga fakti se ka qenë realisht e pamundur, kryerja e verifikimeve, matjeve të sipërfaqeve të tokave, brenda një dite, pasur parasysh madhësinë e tyre, apo pasur parasysh deklarimet kontradiktore të dy punonjësve të AKP-së që, prezumohet se kanë qenë në terren (shtetasi Petrit Kullolli deklaron se nuk ka konstatuar aktivitete sportive në të kundërt nga shtetasi Altin Ceni).

Verifikimet në terren nuk nuk kanë pasur mundësi të kryheshin pa prezencën e subjekteve dhe përcaktimin e sipërfaqes së saktë, të pretenduar për t'u kthyer si dhe përshkrimin e objekteve të ndodhura në to. Moskryerja e verifikimit mbështetet ndër të tjera edhe në faktin se përgjatë regjistrimit të pasurive të familjes Begeja, ka rezultuar se dy sipërfaqe e konkretisht ajo e identifikuar si $1-460 m2 nga matjet rezulton se nuk është më shumë se 300 m2 (sip e konsideruar e lirë. nën objekt) dhe sip e identifikuar si SL3425 m2 (sip e lirë pa objekte), nga matjet rezulton se nuk është më shumë se 300 m2.

Për më tepër, në rast se do të ishin kryer verifikimet në terren do të ishin konstatuar objekte të shtetit apo të subjekteve të treta ose ndërtimet e paligjshme, ku sipërfaqa e truallit e ndodhur nën to, nuk mund të kthehej”, shkruajnë prokurorët Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai.

Po ashtu prokurorët konstatojnë se janë administruar shkresa pa protokoll.

“Janë administruar shkresa pa protokoll dhe pa pasur ekstremitetet e dokumentave (fotokopje). Rezulton se i është nisur kërkesë Ministrisë së Mbrojtjes, duke u mbështetur në një dokument të dorëzuar fotokopje nga shtetasi Bashkim Bekteshi, një dokument që duke qenë se përbënte korrespondencë mes institucioneve, minimalisht duhet të konfirmohej dhe jo të administrohej e të bëhej pjesë e dosjes, i pakonfirmuar si dokument i vërtetë (pra noterizuar apo njehsuar me origjinalin).

Me shkresën nr. 121/3 prot dt 14.02.2007, Bashkia e Tiranës (shih dosjen e familjes Begeja), bën me dije se, nga informacioni i dhënë nga Njësia e Planit Rregullues, zona për të cilën interesohet KKKP është pjesërisht zonë sportive dhe zonë banimi dhe sipas planit të përgjithshëm rregullues (për të cilën nuk ka studim urbanistik pjesor të miratuar) dhe pjesërisht përfshihet në studimin urbanistik pjesor të miratuar me vendim të KRRT Tiranë nr. 76 dt 18.03.2005. N 8/1 i ligjit për kthimin dhe kompensimine pronës, pas ndryshimeve të pësuara më dt 17.07.2006, parashikonte në lidhje me truallin e zënë me ndërtime në pronësi të shtetit parashikonte se, kur ndërtesat në pronësi të pronarit shtet nuk përdoren më për interes publik, trualli i kthehet subjektit të shpronësuar, duke i njohur atij të drejtën e parablerjes së objektit në privatizim.

Referuar nenit 2 gërma "b" të ligjit nr 8743 datë 22.02.2001 "Për pronat e palaujtshme të shtetit", "Pronë e paluajtshme publike" kuptohet ajo pjesë e pronave të paluajtshme të shtetit, që përmbush funksione themelore dhe të pandashme të shtetit dhe që sjell përfitime në favor të publikut të gjerë. Sipas nenit 3 pika 1 gërma "c" i përkasin shtetit dhe bëjnë pjesë në pronat e paluajtshme publike zonat, instalimet dhe objekte të tjera të destinuara për qëllime të mbrojtjes kombëtare, të rendit dhe sigurisë publike. Sipas pikës 3 të nenit 3, janë gjithashtu prona të paluajtshme publike, nëse i përkasin shtetit, edhe aktivitet e ngurtësuara (ose të trupëzuara) që shërbejne për krverjen e shërbimeve publike si... ndërtesat së bashku me oborret që përdoren për shërbime që ofrohen nga shteti, për arsimin, shkencën, kulturën dhe sportet.... për institucionet qendrore dhe vendore....

Sipas nenit 4 pika 2, Ndryshimi i statusit të një prone të paluajtshme të shtetit nga publike në jopublike bëhet sipas procedurave të përcaktuara me ligj. Në nenin 31 pika 1, të ligjit nr 9376 të vitit 2005, para ndryshimeve të mëtejshme, parashikohej se ndryshimi i statusit të objekteve sportive, në varësi të pushtetit qëndror a vendor, bëhet në përputhje me ligjin nr. 7926, datë 20.04.1995 "Për transformimin e ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare". Pra nga sa më sipër, qartësisht konstatohet se territoret e sipërcituara, për të cilat vendoset kthimi, janë prona të shtetit që paraqesin një interes publik.

Sipas ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave, të ndryshuar më datë 17.07.2006, në nenin 8/1 është parashikuar në lidhje me truallin e zënë me ndërtime në pronësi të shtetit, se kur ndërtesat në pronësi të pronarit shtet nuk përdoren më për interes publik, trualli i kthehet subjektit të shpronësuar, duke i njohur atij të drejtën e parablerjes së objektit në privatizim. Për të vërtetuar këtë moment, shtetasi Bashkim Bekteshi, si më sipër u pasqyrua, më datë 17.01.2007 depoziton një shkresë, që mesa konstatohet, i është vënë në dispozicion nga funksionarë shtetërorë, pasi është një korrespondencë institucionale, duke treguar në këtë mënyrë se palët e njohura pronare kanë pasur akses në këto institucione, në të cilën pasqyrohej se Ministria e Mbrojtjes i kërkon METE-s privatizimin.

Kjo shkresë administrohet pa u protokolluar nga AKKP dhe bëhet pjesë e dosjes, megjithëse jo e njehsuar me origjinalin, pra pa plotësuar kushtet e aktit zyrtar”, vijon dosja e SPAK.

Prokurorët pretendojnë se janë përpiluar relacione fiktive, si dhe nuk është grumbulluar informacioni i nevojshëm nga institucionet e tjera.

“Janë përpiluar relacione fiktive për kohën e kryerjes, pra data e vendosur në këto relacione, nuk përputhet me përmbajtjen, pasi janë cituar shkresa që janë administruar më vonë. Shqyrtimi dhe relacioni i katër dosjeve, ka përfunduar deri më dt 12.03.2007, ndërkohë që rezulton se, janë administruar shkresa edhe pas kësaj date, madje edhe shkresa që janë përmendur në këtë relacion (shih shkresat e Ministrisë së Mbrojtjes hyrë në institucion dt 16.07.2007 apo e ZRPP që mban dt 15.03.2007). Kjo nënkupton se datat e relacioneve janë fiktive, të vendosura vetëm për të treguar një radhë pune që duket se nuk është ndjekur dhe përpilimi e plotësimi i akteve është kryer formalisht, në mënyrë që të konkludohej sa më parë me vendimmarrje.

Shkresa e Ministrisë së Mbrojtjes ka hyrë më dt 16.03.2007 ditë e premte dhe më dt 19.03.2007, ditën e hënë është proceduar me përpilimin e projekt vendimit. 107. Në relacion dhe vlerësimet ligjore, relacionet janë të paplota siç është shkresa e Ministrisë së Mbrojtjes, që kërkon të njoftohet para se të bëhet regjistrimi i pronave të Ministrisë së Mbrojtjes, me qëllim krijimin e mbivendosjes. Shkresa e Ministrisë së Mbrojtjes, ku kjo e fundit kërkon që të merret prej saj, konfirmimi përpara regjistrimit të pronësisë, nuk rezulton të jetë respektuar dhe as të jetë cituar e plotë, nëpër relacione apo vlerësim ligjor ose vendim.

Janë marrë vendime pa u administruar përgjigjet nga institucionet. Nuk është mbledhur informacioni i duhur nga institucionet, pasi këtyre të fundit, nuk i është kërkuar informacioni i saktë vetëm vetëm zonën e pretenduar për kthim. Konstatohet se mënyra se si janë trajtuar këto dosje, është e njëjtë dhe duke u shfrytëzuar dokumentat e njërës apo tjetrës dosje, pa u mbajtur akte dokumentimi të marrjes së akteve nga njëra dosje tek tjetra. Kështu sjellim në vëmendje konkretisht shkresat e Ministrisë së Mbrojtjes”, citohet në dosjen e siguruar nga ZËRI.

Po ashtu Prokuroria e Posaçme, thotë se një pjesë e pronave që u janë kthyer familjeve përfituese, janë dhënë në kundërshtim me dy nene të Kushtetutës.

“Janë kthyer prona në kundërshtim me nenin 41 dhe 42 të Kushtetutën e Republikës, që garanton mbrojtjen e pronës. Rezulton se janë kthyer pjesë pronash që kanë cënuar pronësinë e të tretëve, duke krijuar mbivendosje, sepse kanë qenë të regjistruar në emër të personave të tjerë siç është rasti i shoqërisë G-Kam sh.p.k. apo rasti i orkestrës frymore të ushtrisë.

KKKP dhe AKKP ka vepruar në kundërshtim me nenin 7 gërma "b" të ligjit nr. 9235 datë 08.06.2004 "Për kthimin dhe kompensimin e pronës në të cilin sanksionohet se nuk kthehen pronat që janë të zëna sipas akteve ligjore të paraqitura në shtojcën 1 të këtij ligji. Në shtojcën 1 pika 2 të këtij ligji, parashikohen pronat e zëna nga ligji nr. 7512 datë 10.08.1991 "Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private dhe nismës së lirë, të veprimtarive private të pavarura dhe privatizimit" duke sjellë në këtë mënyrë, një konflikt me vëllezërit Kapollari dhe shoqërinë G Kam.

Nga aktet e administruara përgjatë hetimit, të gjendura në dosjet gjyqësore, rezulton se me kontratën e shitjes datë 13.11.1995 shtetasi Ali Selmani ka blerë nga Ndërmarrja e Transport Makineri Ndërtimi dhe degës së AKP Bashkisë Tiranë, Ndërmarrjen e transportit Makineri Ndërtimi me adresë rruga Ndre Mjeda, në vlerën 23 415 282 lekë. Në vijim është lidhur edhe kontrata e shitjes me nr. 4735 rep nr. 7629 kol datë 22.11.1995 me shitës, Ndërmarrja e Transportit të Makineri Ndërtimi dhe shtetasit Ali Selmani në lidhje me godinën që zë sip 7761 m2.

Sipas vërtetimit të pronësisë të lëshuar nga Ipoteka, datë 27.07.1998, vërtetohet se në regjistrin ipotekor me nr. 5332 datë 22.11.1995, në pronësi të Adriatik Kapollarit, figuron e regjistruar godina e transportit të makinerive të ndërtimit të ndodhur në rrugën Ndre Mjeda, me sip 7761 m2 e kufizuar nga perëndimi me rrugën Ndre Mjeda, nga veriu me pjesën e nyjes së betonit, një pjesë me raportin ushtarak, nga lindja me Klubin Partizani, nga jugu po me klubin Partizani dhe territorin sportiv Partizani.

Me kontratën e shitblerjes së truallit nr. 5847 rep nr. 1703 kol datë 01.09.1998, Agjensia Kombëtare e Privatizimit Dega Tiranë, i ka shitur blerësit, shtetasit Adriatik Kapollari, truallin me sip 7761 m2, truall i cili është sip e domosdoshme për ushtrimin e aktivitetit të objektit Ndërmarrja e Transportit Makineri Ndërtimi. Blerësi ka likujduar të gjithë shumën e përcaktuar për blerjen e këtij trualli dhe me mandat arkëtimi nr. 341278 datë 31.08.1998, të Bankës së Kursimeve Tiranë, ka likujduar shumën prej 9 313 200 lekë dhe pas nënshkrimit të kësaj kontrate noteriale AKP që përfaqëson shtetin shqiptar, e humbet çdo të drejtë pronësie mbi këtë truall.

Blerësi Adriatik Kapollari pas nënshkrimit të kësaj kontrate noteriale bëhet pronar i vetëm i pronës: Një truall me sip 7761 m2 dhe i godinës së transportit të makinerive të ndërtimit që ndodhet mbi këtë truall, pronë e ndodhur në rrugën Ndre Mjeda dhe që kufizohet në perëndim me rrugën Ndre Mjeda, veri me pjesën e nyjës së betonit, një pjesë me repartin ushtarak, lindja me Klubin Partizani dhe territorin sportiv Partizani. Sipas vërtetimit nga dokumentat hipotekore datë lëshimi 09.08.2004, vërtetohet se në regjistrin hipteokor nr. 3215 datë 02.09.1998 në emër të shtetasit Adriatik Kapollari, figuron e regjistruar pasuria e ndodhur në ZK 8220, një truall me sip 7761 m2 dhe i godinës së transportit të makinerive të ndërtimit që ndodhet mbi këtë truall, pronë kjo e ndodhur në rrugën "Ndre Mjeda". Kufizimet e pasurisë janë: Veri me pjesën e Nyjes së betonit, Jugu dhe Lindja me Klubin Partizani dhe perëndimi me rrugën Ndre Mjeda. Në komentet e regjistruesit është bërë shënimi se: Ky vërtetim është i vlefshëm për AKP pasi sip vijëzuar në genplan është 15 050 m2. Pronari ka privatizuar 7761 m2. Origjina e kësaj pasurie është nr hip 5332 datë 22.11.1995”, thuhet në aktakuzën e SPAK.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, kthimi i pronës së familjes Begeja ka krijuar mbivendosje.

“Kthimi i pronës familjes Begeja, si në vitin 2006 ashtu edhe në vitin 2007 ka shkaktuar mbivendosje pikërisht me pronën e mësipërme të regjistruar në emër të shoqërisë G-Kam. Për këtë arsye shoqëria G Kam është detyruar të investojë Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë me kërkesë padinë e datës 01.04.2010, ku padit Ministrinë e Financave, Drejtorinë e Administrimit dhe shtjes së pronës Publike, me objekt saktësimin e sipërfaqes së pronës dhe kufizimet përkatëse. Me kërkesën e datës 19.11.2010, të paraqitur në Gjykatën Tiranë, shtetasi Haki Begeja i përfaqësuar nga Xhimi Begeja, paraqet kërkesën për ndërhyrës dytësor në gjykimin që zhvillohet mbi bazë të kërkesë padisë së depozituar më datë 01.04.2010 shoq G-Kam sh.p.k.

Me prokurën e posaçme nr. 7486 rep nr 2552 kol datë 14.06.2011 para noterit Julian Zhelegu, Bashkim Bekteshi, emëron si përfaqësues av. Sokol Barçi, që ta përfaqësojë në këtë gjykim. Me kërkesën datë 16.06.2011 për të njëjtin gjykim, shtetasi Bashkim Bekteshi i përfaqësuar nga av. Sokol Barçi paraqet kërkesë për ndërhyrës kryesor në proces. Me kërkesën nr 5317 prot datë 01.07.2011 shtetasi Bashkim Bekteshi i përfaqësuar nga Sokol Barçi paraqet kërkesën për ndërhyrës kryesor duke paditur shoqërinë tregtare G Kam dhe Drejtorinë e shitjes dhe administrimit të pronës publike pranë MF, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë së kontratës së shitjes nr 5847 rep nr 1703 kol datë 01.09.1998 dhe detyrimin e të paditur G-Kam, ta njohë pronar të godinave të ngritura mbi truallin pronë e tij dhe pasi Bashkimi t'i ketë paguar vlerën e ndërtimit të lirojë dhe dorëzojë sendin”, vijon më tej dosja./ZËRI 

Poll

MOS HUMB