
TIRANË- Këshilli i Mandateve miratoi rregulloren e re të Kuvendit, në të cilin parashikohet përjashtimi deri në 2 muaj i deputetëve që përfshihen në skena dhune apo kaosi. Në mbledhjen e sotme, kanë qenë vetëm anëtarët e PS-së.
Mazhoranca pritet ta miratojë rregulloren në formë përfundimtare në seancën e radhës. Ndryshimet në rregullore parashikojnë ashpërsimin e masave për deputetët të cilët bllokojnë punimet e Kuvendit. Deri më sot dënimi maksimal është 10 ditë, ndërkohë që PS kërkon që ky dënim të behet deri në 60 ditë.
Kujtojmë se sjelljet agresive të deputetëve në Kuvend janë ndëshkuar nga Komisioni i Etikës. Një ditë më parë Komisioni i Etikë përjashtoi me 10 ditë nga punimet e Kuvendit, 7 deputetët demokratë që seancën e 7 dhjetorit shkaktuan kaos në seancën plenare. Etika vendosi përjashtimin e Ervin Salianjit, Bledjon Nallbatit, Asllan Dogjanit. Lefter Gështenjes, Isuf Çelës, Luan Baçit dhe Xhelal Mziut.
Seanca e fundit (7 dhjetor 2023) kaloi sërish me tensione në sallën e Kuvendit. Ende pa nisur mirë, deputetët e opozitës u përplasën me Gardën e Republikës, e cila ishte vendosur në gatishmëri. Megjithatë përplasje kishte sërish, pasi Garda nuk i la opozitarët që të krijonin "malin" me karrige tek Foltorja e Kuvendit. Situata në sallë u përshkallëzua me ardhjen e kryeministrit Edi Rama, moment në të cilin opozita ndezi flakadanët. Por megjithatë gjithçka kaloi shpejt pasi seanca u mbyll për vetëm 8 minuta./ZËRI