Politikë

“Ishte maskilist”, nga njohja në FRESH, te martesa me dëshmitar Erion Braçen! Jetët e kryqëzuara të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit

Nga njohja te çështjet që çuan në divorcin e tyre, si u shndërruar në ish-bashkëshortë Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi

E.K
“Ishte maskilist”, nga njohja në FRESH, te martesa me
Martesa e Kryemadhit dhe Metes ne vitin 1998

TIRANË- 26 vite pas martesës së tyre në Bashkinë e Tiranës, e cila u bekua me tre fëmijë, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, tashmë kanë nisur procedurat e ndarjes, edhe ligjërisht. Ajo që përflitej prej muajsh, se mes tyre marrëdhëniet ishin ndëprerë, dhe ish-presidenti ishte larguar nga shtëpia, për të fjetur në një hotel në zonën e Liqenit, janë konfirmuar mbrëmjen e djeshme nga vetë Meta, i cili e etiketoi Krymadhin si ish-bashkëshorten e tij, edhe pse procedura e ndarjes do të dojë kohë që të finalizohet.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by ZËRI (@zeri.albania)

Një prej çifteve më jetëgjata të politikës, të dy deputetë, kryetarë partish, e deri në kryeministër dhe president, duket se nuk i shpëtuan dot presionit të pushtetit, e së fundi edhe presionit të drejtësisë, që ka hapur letrat për të hetuar pasurinë e tyre. Pasuri të cilën Meta pretendon se është menaxhuar fund e krye nga gruaja e tij, dhe se ai kurrë nuk është marrë me çështje parash.

Nga njohja në FRESSH te martesa me dëshmitar Erion Braçen

Njohja mes Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit ka nisur në ambientet e Partisë Socialiste, në të cilën qëndruan deri në ditën e themelimit të LSI-së. Kryemadhi ka treguar se njohja e saj me Ilir Metën ka nisur në vitin 1993, kur ajo ishte ende 17 vjeç, ndërsa do të lidheshin një vit më vonë, e do të celebroheshin në vitin 1998. Nuk ka qenë një dashuri me shikim të parë, siç Kryemadhi vetë ka rrëfyer, pasi për një grua të brumosur fortë si ajo, Ilir Meta ishte një maskilist, dhe një i ri që nuk e kishte pikën e tij më të fortë të qënurit romantik.

“Unë kam qenë pak e turpshme, por pas fejese jo më. Në fillim nuk e kam pëlqyer atë, se është pak maskilist. Nuk është xhentil, e them këtë në kontekstin e një vajze që ëndërron princin e kaltër. Jemi njohur në nëntor të vitit 1993, kam qenë 17 vjeç, një vit më pas jemi lidhur. Kur më ka sjellë lule kam qëndruar dy javë pa gjumë, për faktin se m’i solli”, tregonte Kryemadhi në një intervistë të pak kohëve më parë.

Martesa e Kryemadhit dhe Metës është zhvilluar në një ceremoni modeste në Bashkinë e Tiranës, teksa dëshmitar të tyre kanë qenë ambasadori zvicerian në Shqipëri, Erion Braçe dhe shefi i kabinetit të Metës Muç Muçi. Në kohën e martesës, Ilir Meta ka mbajtur postin e zëvendëskryeministrit, për të ngjitur më pas të gjitha majat e pushtetit, deri në zyrën e presidencës.

Vitet që pasuan treguan se jeta e Kryemadhit dhe Metës ishte shënjuar për të qenë së bashku. Shpesh Kryemadhi ka qenë pas bashkëshortit të saj, që prej themelimit të LSI në vitin 2004, deri në marrjen e detyrës së saj në krye të Partisë, pasi Meta u zgjodh si president në vitin 2017.

Krisja politike

5 vitet e Metës në zyrën e presidentit, dhanë edhe krisjet e para në marrëdhënien politike dhe personale të çiftit. Përçarja më e madhe mes të dyve, ka ndodhur në vitin 2019, kur Monika Kryemashi, iu bashkua aleatit të saj në opozitë Lulzim Basha, duke djegur mandatet e deputetëve të LSI-së, që asokohe gëzonte pozita të forta edhe në Kuvend. Nga një parti me 17 mandate, në zgjedhjet e ardshme parlamentare të vitit 2021, LSI që drejtohej nga Kryemadhi arriti që të fitonte vetëm 4 karrige në Kuvend, duke e katandisur këtë forcë politike në momentet më kritike që nga themelimi i saj. Pavarësisht angazhimit të Metës, që hodhi pas krahëve dhe kostumit e presidentit dhe u angazhua në mënyrë direkte në fushatë, opozita në tërësi përsoi një humbje spektakolare, duke iu dhënë socialistëve mandatin e tretë qeverisës.

E kjo pikë kritike, është përdorur dhe ripërdorur nga Ilir Meta, deri kur vendosi që të rikthehej në krye të LSI-së, duke ndryshuar emrin e forcës politike që vetë themeloi, dhe duke spastruar nga aty të gjithë besnikët e Monika Kryemadhit. Përmes një manovre statutore, Meta i ndaloi Kryemadhit poste në nivele drejtuese, edhe pse kjo e fundit tentoi që të bënte qëndresë, duke u përballur me bashkëshortin e saj në Konventën e Partisë së Lirisë.

“Mendimet e mia do të jenë të drejtpërdrejta. Unë kam këndvështrim ndryshe sa i përket strukturimit të partisë. Nuk po them që kur kam drejtuar LSI-në kam shkëlqyer edhe të drejtën për të shprehur mendimin tim nuk mund të ma heqë dot. Nuk ka konflikt por një sjellje që ka marrë nga këshilltarët e gabuar”, do të shprehej Kryemadhi.

SPAK-u i dha goditjen finale

Por pavarësisht çështjeve brenda partisë, përçarja mes Metës dhe Kryemadhit u bë dhe më e dukshme, me thirrjet e shpeshta të tyre në Prokurorinë e Posaçme, ku nuk kanë kursyer as familjarët. Ndryshe nga Meta që ka zgjedhur që të hedhë akuza të forta në drejtim të SPAK, dhe kreut të saj Altin Dumani, Monika Kryemadhi nga ana e saj, ka zgjedhur që të shkojë dhe të japë llogari sa herë që i është kërkuar, duke deklaruar edhe publikisht, se kjo pikë e ndan atë nga Ilir Meta. Ky i fundit kërkon të shesë hetimet e Prokurorisë së Posaçme, si një dosje që lidhet vetëm me Kryemadhin, me apartamentet e nënës dhe vëllait të saj, ndërhyrjet estetike, apo shkollimin e fëmijëve. Ndërkohë që në fakt, një prej çështjeve më të nxehta për Metën, është çështja CEZ DIA, ku ai akuzohet se ka ndërhyrë, në kohën kur ka qenë ministër i ekonomisë.

Divorci është një zgjidhje sa kohë që martesa nuk funksionon, por marrëdhënia e Metës dhe Kryemadhit është përtej raportit intim dhe personal. Ata i lidhin shumë çështje edhe me interes publik, për të cilat llogaridhënia në dyert e prokurorive do të vijojë, edhe pse tashmë do të jetojnë jetë të ndara. /ZËRI 

Poll

MOS HUMB