
TIRANË-Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, ka deklaruar se po ndahet nga bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi. Dyshja prej kohësh ishin përfolur për krisje në marrëdhënien e tyre, por vetëm sot Meta pranoi se ka bërë edhe një kërkesë për divorc. I ftuar në 'Çim Peka Live', kreu i PL u shpreh se ndarja e tyre erdhi nga një deklaratë e dhënë nga Kryemadhi në lidhje me SPAK.
Meta: Monika Kryemadhi është tashmë ish-bashkeshortja ime dhe sot kam ndjekur edhe rrugën juridike për këtë cështje dhe kam njoftuar edhe djalin tim Besar Ilir Meta.
Pyetjes së Pekës, se si mund të bindi anëtarësinë dhe publikun se SPAK është i kapur nga Rama, kur nuk bind dot bashkëshorten e tij, Meta u shpreh se për shkak të kësaj deklarate zonja Kryemadhi është ish-bashkëshortja e tij tashmë.
Meta: Keni shumë të drejtë. Pas kësaj deklarate, zonja Kryemadhi është ish-bashkëshortja ime. Dhe sot kam ndjekur edhe rrugën juridike për këtë cështje dhe kam njoftuar edhe djalin tim Besar Ilir Meta, i cili më ka thënë pak kohë më parë që kur kemi kaq shumë tensione dhe probleme me njërin tjetrin mund të gjeni ndonjë zgjidhje me të qetë dhe unë besoj se e kam gjetur një zgjidhje.
Meta gjithashtu ka listuar edhe argumentet se pëse arritën deri në ndarje dhe u shpreh se ka pritur një reflektim nga Monika. Kreu i PL deklaroi se Monika ka kontributet e veta dhe nuk ja mohon ato, por për të kjo është një zgjidhje më e qetë për të gjithë.
Meta: E përmenda çështjen e mandateve se ajo ka qenë një krisje shumë e madhe mes nesh. Nuk ka qenë lojë dhe nuk është lojë. Çështja e mandate është një krim për popullin shqiptar. Unë kam pritur nga ajo një reflektim nga ajo dhe e deputetëve dhe askush nuk mori në telefon për të pyetur se, nëse ti ke dalë kundër çfarë mendon. Nuk e bëra unë kryetare të partisë, ashtu siç e thatë ju. Ajo ka pasur kontributet e veta shumë të mëdha. Pas zgjedhjes time të sforcuar si president, kryetar u bë Petrit Vasili, për shkak të përvojës, qartësisë politike dhe ajo u bë nënkryetare si një mbështetëse dhe për të mbajtur linjën. Dhe më pas erdhën zgjedhjet, rezultati i dobët në Fier dhe presionet e Ramës ndaj deputetëve sepse u duk e qartë që po shkonim drejt opozitës. Më pas u mendua si zgjidhje për të mbajtur më të bashkuar partinë, dhe për shkak energjive që ajo kishte. Ka kontributet e veta që askush nuk ja ka mohuar dhe nuk ja mohon. Por tani kjo është një marrëdhënie, e cila është bërë e pamundur dhe kjo është një zgjidhje më e qetë për të gjithë.
Ndarja e tyre vjen në një moment kur SPAK po heton pasurinë e familjes Meta. Kreu i PL ka deklaruar se të gjitha veprimet financiare i kishte kryer Monika./ZËRI