Politikë

Ilir Beqajt i hapet dosje e re, ushtrohen kontrolle dhe te restoranti te ‘Kalaja e Tiranës’

Për Ilir Beqajn tashmë është hapur një hetim i ri, që lidhet me kontratat e dyshuara klienteliste që ai ka firmosur në tregun e farmaceutikës

E.K
Ilir Beqajt i hapet dosje e re, ushtrohen kontrolle dhe te restoranti te
Ilir Beqaj

TIRANË- Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, strukturë pranë SPAK, kanë kryer gjatë ditës së djeshme një sërë kontrollesh në disa biznese të lidhura me ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj, i cili është vënë nën masë sigurie për aferën e sterilizimit. Por kjo nuk është çështja e vetme për të cilën SPAK ka vënë nën hetim ish-ministrin.

Burime i thanë ZËRI-t se përveç kontrolleve në zyrat e kompanisë Delta Pharma, në rrjetin e farmacive Ditë e Natë, si dhe në banesën e Beqajt, kontrolle ka pasur dhe në restorantin ‘Gzona’ që gjendet te Kalaja e Tiranës. Ky restorant dyshohet se është në pronësi të Beqajt, dhe menaxhohet nga persona të afërt të tij. Nga të gjitha ambientet e kontrolluara, janë marrë fatura dhe dokumente të ndryshme që i shërbejnë SPAK në hetimet e mëtejshme.

Beqaj dyshohet se ka favorizuar kompaninë "Delta Pharma" duke ndryshuar kriteret e një tenderi për të lejuar futjen e barnave të pa certifikuara në vend. Ky është një hetim i ri për ish-ministrin, ku po shqyrtohen të gjitha kontratat që ai ka lidhur me kompaninë e barnave dhe rrjetin e farmacive. Për lidhjen e afërt të Beqajt me pronarët e këtyre kompanive ka pasur edhe më herët denoncime mediatike, të cilat tashmë janë konkretizuar në një dosje të re nga ana e SPAK.

Por pse akuzohet Ilir Beqja?

Ish-ministri ka masën shtrënguese "detyrim paraqitjeje" në Policinë Gjyqësore dhe ndalim dalje jashtë vendit. Ai po hetohet nga SPAK për "shpërdorim detyre" në procedurën e koncesionit për sterilizimin. 

Atij iu kërkua të paraqitet çdo të premte në Byronë Kombëtare të Hetimit, të mos largohet nga territori i Shqipërisë pa autorizimin e gjykatës si dhe i ndalohet përdorimi i pasaportës apo mjeteve të tjera identifikuese për daljen jashtë shtetit.

Beqja është zyrtari më i lartë nën akuzë për kontratat PPP, ndërkohë që për të njëjtën çështje në burg është biznesmeni Ilir Rrapaj dhe ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj. SPAK ka hetuar për 3 vite këtë procedurë ku janë zbuluar shkelje të procedurave me qëllim dhënien e koncesionit, kompanisë së Rrapajt dhe italianit Umbro Staçini. Me caktimin e masës së sigurisë, Beqaj dha dhe dorëheqjen nga posti i Drejtorit të Agjencisë Shtetërore të Programit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës. /ZËRI

Poll

MOS HUMB