
TIRANË- Problemi i derdhjes se ujërave të ndotura në det nga bizneset në zonat bregdetare ka qenë shqetësim për plazhet e vendit. Qeveria ka kaluar në mbledhjen e kësaj të enjte një akt normativ për ngritjen e një Task Force që do të inspektojë dhe sanksionojë abuzuesit në subjektet turistike.
Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro ka prezantuar taksforcën e re, përmes së cilës të gjitha subjektet turistike do të përmirësojnë strukturën e ujërave ndotëse. Gjatë konferencës pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ajo theksoi se ky proces është tepër pozitiv, pasi me shtimin e numrit të turistëve do të shtojë më shumë lehtësira.
"Qeveria ka vendosur të realizojë një taksforcë të dedikuar për inspektimin dhe kontrollin, shëndetësimin e të gjitha subjekteve turistike për të përmirësuar strukturën e ujërave ndotëse, që shkaktohen në ujërat larës që mund të jenë në det, lumenj apo liqen, duke pasur parasysh strukturën akomoduese turistike janë të shtrira në këto zona. Përmirësimi sipas agjencisë europiane të mjedisit krahasuar me vitet e shkuara është shumë i rëndësishëm, shumë i dukshëm në shifra. Ky është një proces me ndryshime, pasi me shtimin e turistëve, një pjesë e madhe këtyre lëvizjeve turistike qarkullojnë në strukturat e këtij shërbimi si bare, restorante, resorte apo hotele përgjatë ujërave larës. Kjo është arsyeja pse ne kemi vendosur një taksforcë të tillë në bashkëpunim me të gjitha subjektet private dhe po ruajmë standardet me trajtimin e ujërave ndotës”, u shpreh Kumbaro.
Një tjetër vendim i marrë nga Këshilli i Ministrave është dhe ai për thjeshtimin e procedurave për lëshimin e lejeve mjedisore, një prej të cilave dhe ulja e kohës për pajisjen me këtë dokument./ZËRI