
TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk mori as këtë të enjte një vendim për ish-kryeministrin Sali Berisha, për të cilin Prokuroria e Posaçme kërkoi masën e sigurisë së “arrestit në shtëpi” me mbikëqyrje policore. GJKKO ka shtyrë sërish seancën për ish-kryeministrin Sali Berisha. Mësohet se seanca për Berishën është shtyrë për shqyrtim provash. Ndërkohë seanca e radhës do të mbahet më 30 dhjetor në orën 12:00.
Seanca për caktimin e masës ndaj Berishës është shtyrë për të tretën herë. Avokati i i Sali Berishës, Genc Gjokutaj tha për mediat se janë në pritje për gjykimin e kërkesës së tyre për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka.
“Gjykata e shtyu për në datë 30, të shikojmë nëse do të ketë gjykuar kërkesën për përjashtimin e gjyqtares. Sot kemi marrë provat që do të shoqërojnë kërkesën. Me provat që neve mendojmë që mbështesin kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka. Janë ato prova të cilat provojnë njëanshmërinë e gjyqtares. Dje më thanë që hetimi është sekret dhe duhet bërë me dyer të mbyllura dhe unë do t’i qëndroj fjalës dhe ligjit,"- tha Gjokutaj.
Mëngjesin e ditës së sotme një nga avokatët e Berishës dorëzoi kërkesën e re për marrjen e audiove të seancave dhe procesverbalet, për të provuar atë që e quajnë njëanshmëri të gjyqtares Irena Gjoka me qëllim përjashtimin e gjyqtares për vendime të njëanshme. Ndërkohë vetë Berisha si çdo seancë nuk shkoi në gjykatë por nga selia iu drejtua banesës ndërsa në gjykatë çoi avokatët./ZËRI