
TIRANË- Me urdhër të SPAK, gjatë ditës së sotme agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë mbërritur për kontroll në banesën e ish-ministrit të shëndetësisë Ilir Beqaj.
Banesa e Ilir Beqajt ndodhet në zonën e Barrikadave në Tiranë, ndërkohë që ish-ministri është nën masën e detyrimit të paraqitjes dy herë në muaj përpara oficeres së policisë gjyqësore, si dhe nuk mund të largohet jashtë vendit.
Deri tani nga hetimi i SPAK Beqaj është zyrtari më i lartë nën akuzë për shkeljet e konstatuara me kontratën e partneritetit publik-privat të sterilizimit me vlerë 100 milionë euro, pas arrestimit në gusht të këtij viti të biznesmenit Ilir Rrapaj dhe zëvendësit të tij në Ministrinë e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj.
Ilir Beqaj u zgjodh ministër i Shëndetësisë në kabinetin e parë të kryeministrit Edi Rama dhe gjatë drejtimit të tij në vitet 2013-2017, u firmosën tre kontrata koncesionare prej dhjetra milionë eurosh për shërbime të sistemit shëndetësor.
Prej vitit 2021, Beqaj drejtonte Agjencinë Shtetërore të Programit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, post nga u dorëhoq pasi u vu nën akuzë nga SPAK. Në tetor të këtij viti ai u bë gjithashtu pjesë e grupit negociator për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
/ZËRI