Aktualitet

Arrestimi i Lulzim Berishës, Express: Më i kërkuari i Europës, fshihej si turist në Spanjë

Lulzim Berisha u arrestua në datën 14 Dhjetor në Spanjë, dhe tashmë pritet ekstradimi që ai të përballet me drejtësinë shqiptare

E.K
Arrestimi i Lulzim Berishës, Express: Më i kërkuari i
Lulzim Berisha

SPANJË- Arrestimi i Lulzim Berishës rreth dy javë më parë në Spanjë, vijon që të pasqyrohet në media të rëndësishme ndërkombëtare, të cilat e cilësojnë 52-vjeçarin nga Durrësi si një prej mafiozëve më të kërkuar në Europë. Në një shkrim të publikuar dje nga britanikja Express, thuhet se Berisha ndodhej prej dy vitesh në arrati. Në shkrim thuhej gjithashtu se ai fshihej në mesin e turistëve britanikë që ndodheshin në Spanjë, në zona ekskluzive.

“Berisha, i përshkruar si një nga "Më të kërkuarit" e Shqipërisë, thuhet se ishte organizatori i një bande kriminale përgjegjëse për shumë vrasje që datojnë që nga viti 1998.

Policia ishte vënë në kërkim të Berishës, i cili identifikohej me bandën e Durrësit, qytet në të cilin ai kishte aktivitetin e tij kriminal.

Arrestimi u krye në një apartament të vendosur në destinacionin popullor të pushimeve të Playa de San Juan në Alicante, ku banojnë shumë emigrantë britanikë.

E shkuara kriminale e Berishës nis që në vitet '90 dhe Policia deklaroi se banda e tij kishte marrë kontroll të konsiderueshëm në rajon, duke u pozicionuar si eksportuesi kryesor i kokainës dhe armëve në Shqipëri.

Mafiozi famëkeq kërkohej për vrasjen e dy individëve në vitin 2005, një larje hesapesh mes bandave rivale.

Bashkëpunëtorët e tij u sollën para drejtësisë 15 vjet më vonë, kur një gjykatë shqiptare dënoi 16 anëtarë të bandës së tij me katër dënime të përjetshme dhe 267 vjet burg për akuza përfshirë vrasje, zhvatje dhe rrëmbim.

Pavarësisht se u arrestua shtatë vite më parë në Maqedoni dhe u ekstradua në Shqipëri, Berisha arriti t'i shpëtojë dënimit me 25 vite burg. Gjykata e Durrësit e la atë në liri me kusht për arsye shëndetësore pasi Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën e prokurorisë për burgim të përjetshëm”, thuhet në shkrimin e medias britanike.

Për Lulzim Berishës drejtësia shqiptare i ka kërkuar Spanjës ekstradimin, por deri tani ende nuk ka një vendim, se kur do të sillet në vendin tonë kreu i ish-bandës së Durrësit./ZËRI

Poll

MOS HUMB