
TIRANË- Ish-kreu i bandës së Durrësit, Lulzim Berisha është arrestuar sot në Alicante të Spanjës. Lajmin për arrestimin e tij e ka bërë me dije Policia e Shtetit, duke nxjerrë një njoftim të shkurtër për mediat pa dhënë shumë detaje.
Por "ZËRI" ka siguruar pamje nga momenti i arrestimit të Lul Berishës, i cili kamuflohej që të mos njihej nga armiqtë që mund ta kishin ndjekur në arrati. Siç duket edhe në foton e mëposhtme, Berisha shfaqet i mbushur me tatuazhe në të dy krahët dhe në trup. Por edhe në fytyrë kishte ndryshime.

Ai mbante kapele dhe syze optike, por po ashtu kishte lënë edhe mjekër, duke u bërë thuajse i paevidentueshëm.
-
Arrestohet në Spanjë Lulzim Berisha, ish-kapoja e Bandës së Durrësit
14 Dhjetor, 12:34
Lulzim Berisha u arrestua për herë të parë në 6 prill 2006 derisa në 16 janar 2012, Lulzim Berisha u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda për pesë vrasje dhe disa atentate. Por, Gjykata e Lartë, në vitin 2014, rrëzoi dënimin me burgim të përjetshëm Berishës dhe vendosi 25 vjet burg për ish-kreun e bandës së Durrësit.
Megjithatë Lulzim Berisha u lirua me kusht nga burgu në 5 dhjetor të vitit 2016, 5 vite para se t’i përfundonte afati për shkak se vuante nga një sëmundje. Derisa u zhduk sërish. Nga arratia komunikoi dhe lajmëroi se ndodhej në Turqi për t'u kuruar pasi vuante nga një sëmundje, për të cilën nuk dha më shumë detaje. Më 7 dhjetor 2021, Gjykata e Lartë vendosi rikthimin në burg të Lulzim Berishës. Por ndaj tij ka një tjetër akuzë. I penduari i drejtësisë, Luftar Reçi pretendon se Berisha është personi që ka urdhëruar vrasjen e Klodian Saliut, ngjarje për të cilën SPAK ka prerë një urdhër arresti ndaj ish-kreut të bandës së Durrësit./ZËRI