TIRANË- Kreu i SPAK Klodian Braho është duke raportuar në Komisionin për Nismat Qytetare në Kuvend për rezultatet gjatë vitit 2025.
I pyetur lidhur me hetimin e krimit zgjedhor, Braho u shpreh se mbetet njw fenomen shqetwsues. Teksa i pwrgjigjej pyetjeve, Braho bëri me dije se SPAK ka nisur 46 procedime penale lidhur me parregullsi të dyshuara gjatë zgjedhjeve të fundit.
“Sa i përket krimit zgjedhor, ne bëmë edhe parashtrimet tona për shifrat që disponojmë. Krimi zgjedhor është fenomen shqetësues dhe na shqetëson si prokurori. Nuk është një fenomen me të cilin ne pajtohemi. Nuk shoh ndonjë standard të dyfishtë nga SPAK për çështjet zgjedhore, por është një perceptim. Ne nuk nisemi nga perceptimet, por nga faktet që përmbajnë dosjet...Në zgjedhje e fundit, SPAK ka nisur 46 procedime penale. Struktura e Posaçme ka ngritur një grup pune të posaçëm për të hetuar krimet zgjedhore. Ne përpiqemi që të zbatojmë të gjitha rekomandimet, që na vijnë nga ndërkombëtarët. Cilësia në hetime vetëm është rritur, duke qenë profesional të ndjekjen e çështjeve penale që kanë të bëjnë me krimet zgjedhore”, tha Braho.
Kreu i SPAK foli edhe për Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), duke bërë të ditur se kjo strukturë po ristrukturohet për t’iu përshtatur edhe formave të reja të kriminalitetit.
“BKH po merr gjithmonë e më shumë rëndësi si strukturë. Po mbushim edhe vendet, që i kemi pasur vakante. Edhe koordinimi me partnerët ndërkombëtarët është i rëndësishëm për ne. Vazhdojmë të ndjekim çështje, të shtetasve shqiptarë, që mund të shtrijnë kriminalitetin dhe jashtë Shqipërisë”, deklaroi Braho.