
TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka deklaruar nga Brukseli se ligji i investimeve strategjike do të shfuqizohet. Kreu i qeverisë njoftoi se në bashkëpunim me Komision Europian, po hartohet ligji i ri. Ndërkohë sa i përket ligjit për zonat e mbrojtura, Rama u shpreh se është një ndër më të mirë, por do të ketë disa ndryshime.
Edi Rama: Na duhet të shfuqizojmë ligjin për investimet strategjike, që është diçka për të cilën kemi disa kohë që kemi rënë dakord. Ky ligj e ka përmbushur misionin e vet dhe po punojmë për atë që do ta zëvendësojë këtë ligj.
Për ligjin tjetër nuk kemi asgjë për të shfuqizuar, edhe pse ka pasur rezolutë në Komisionin Evropian. Duhet të ndryshojmë gjithçka që nuk është në pajtim me standardet evropiane.
Ligji për investimet strategjike do të anulohet. Ai për zonat e mbrojtura është nga më të mirët që kemi dhe kemi punuar shumë fort për ta hartuar. Është i pari në vend, nuk kishim një të tillë. Na duhet të trajtojmë pjesë specifike, të cilat duhet të jenë në pajtim të plotë me standardet e BE-së.