
TIRANË- Partia Socialiste ka kërkuar përjashtimin e 7 deputetëve të opozitës pas sherrit të së hënës pasdite në Parlament, ku pati edhe përleshje fizike. Burime bëjnë me dije se socialistët kanë nisur nga puna për mbledhjen e firmave, për ta dorëzuar më pas kërkesën në Komisionin e Etikës.
Mësohet se socialistët do të kërkojnë përjashtimin e deputetëve: Gazment Bardhi, Edi Paloka, Flamur Noka, Gledion Nallbati, Albana Vokshi, Samir Korreshi dhe Lefter Gështenja.
“Të gjendur përballë një situate të paprecedentë të zhvillimit të seancës plenare të datës 30.10.2023, ku deputetët e opozitës në thyerje të rëndë të Rregullores së Kuvendit dhe të Kodit të sjelljes së Deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, bllokuan foltoren e Kuvendit, hoqën kartat nga pajisjet elektronike të deputetëve të Grupit Parlamentar të PS të cilët ishin të regjistruar për të diskutuar mbi çështjet e evidentuara nga zgjedhësit. Situata arriti deri në përplasje fizike midis deputetit Vullnet Sinaj dhe deputetit Bledion Nallbati", thuhet në shkresën e socialistëve.
Të hënën, deputeti Bledion Nallbati u përjashtua nga seanca pasi tentoi të godiste me grusht deputetin socialist, Vullnet Sinaj, teksa ky i fundit po mbante fjalën e tij. “Nuk ia vlen që të merremi me diçka që nuk nderon askënd”, tha Nallbati një ditë më pas duke komentuar episodin e shëmtuar.
-
-
Nallbati grushton deputetin Sinaj
30 Tetor, 17:09
Konflikti që ndodhi dje në Kuvend është në vazhdimin e radikalizimit të qëndrimeve të opozitës, deputetët e të cilës kanë bllokuar punën në Kuvend, por edhe në komisionet parlamentare.
Seanca e radhës plenare është parashikuar, ditën e enjte, teksa palët politike vijojnë strategjinë e tyre, opozita bllokadën parlamentare, ndërsa mazhoranca miratimin e akteve pa diskutime./Zëri.ai