
TIRANË- Kryetari i bashkisë së Cërrikut, Adis Salla, mori pjesë në një takim të Partisë Socialiste në Selanik dhe e publikoi këtë aktivitet në faqen zyrtare të bashkisë. Por, pas kësaj Komisioni Qendror Zgjedhor ka nisur procedurat për gjobitjen e tij. Procesi u shoqërua me debate mes Sekretares së Përgjithshme të Bashkisë Cërrik dhe Komisionerit Ilirjan Celibashi.
“Shkoi për të ndërgjegjësuar votuesit që të regjistrohen. Jemi në siklet, kemi takime të tjera në fundjavë në Itali”, tha përfaqësuesja e bashkisë.
“Nëse shkon si kryetar bashkie, duhet të ftojë votues të të gjitha palëve. Ai mund të shkojë si aktivist partie, por të mos përfshijë bashkinë. Nëse ai nuk e di se çfarë detyrash ka si kryetar bashkie, atëherë është rëndë situata”, u përgjigj Celibashi.
Edhe mbledhja e Komisionit Rregullator u shoqërua me debate, pasi anëtarët e partive politike iu kërkuan KQZ-së të kontaktojë me të gjithë ata që kanë aplikuar gabim e t’u tregojë si ta bëjnë mirë kërkesën.
“Nuk po ofroni ndihmë në kohë reale për zgjedhësit që kanë probleme. Nuk i keni kontaktuar e tu thoni: ti e ke kartën e identitetit, fotografoje nga ana e pasme, duhet ta kishit bërë konkretisht me secilin. Si ka mundësi që ai numri vetëm rritet aty i refuzimet? Po si ka mundësi që ta kenë fajin vetëm emigrantët e jo ne? Ne duhet të marrim masa për ta ndihmuar procesin. A i merrni ju në telefon?”, tha Muharrem Çakaj, anëtar.
“Nuk i marrim ne në telefon, vetëm përgjigjemi. Janë 16 persona. Janë 5 në turn që ndihmojnë zgjedhësit në linjën e ndihmës”, u përgjigj Jona Josifi, Drejtore e Votimit nga Jashtë.
“Procesi nuk është i thjeshtë, nuk është i lehtë. Të shihet mundësia për lehtësim”, u shpreh Franc Nuri, përfaqësues i PD
“Përgjigjja e refuzimit nuk mund të jetë e thatë, arsyeja konkrete duhet tu shkojë konkretisht. Duhet një politikë më e afërt e operatorëve me qytetarët që refuzohen”, tha përfaqësuesja ligjore e PS, Elena Xhina.
Pothuajse 2 javë pas hapjes së Platformës Elektronike të Regjistrimit janë paraqitur paraqitur 66 mijë kërkesa, nga të cilat janë pranuar vetëm 41 mijë të tilla, dhe janë refuzuar 24 mijë aplikime. Deri më tani 1/3 e emigrantëve shqiptarë nuk është regjistruar.
Për t'u regjistruar duhet të futen në faqen e KQZ-së dhe të klikojnë në seksionin “votues nga jashtë”. Pasi të klikojnë duhet që të vazhdojnë me procedurat dhe kërkesat e Komisionit të Zgjedhjeve. Pasi aplikimi të ketë përfunduar, brenda 5 ditëve, KQZ u kthen përgjigje brenda 5 ditëve duke njoftuar nëse aplikimi i tyre është pranuar, ose jo. Nëse aplikimi është i suksesshëm, KQZ do t'u dërgojë emigrantëve fletën e votimit me postë. Pasi vullneti të jetë nënshkruar në letër, fleta e votimit do të kthehet sërish me postë në Shqipëri për t'u numëruar më 11 maj./ZËRI