KOSOVË- Kuvendi i Kosovës do të zhvillojë të hënën më 28 shtator, seancën e radhës plenare ku një nga çështjet kryesore që pritet të shqyrtohet është deklarata lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës të shpallur më 16 shtator 2026.
Seanca do të nisë në orën 11:00 ndërsa deputetët do të shqyrtojnë disa pika të parashikuara në rendin e ditës.
Deklarata që lidhet me Gjykatën Speciale vjen pas vendimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vite burgim Kadri Veseli me 18 vite, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vite burgim. Në total, katër dënimet arrijnë në 81 vite burgim.
Përveç kësaj çështjeje Kuvendi pritet të merret edhe me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, si dhe me formimin e komisioneve parlamentare.
Në seancë është parashikuar gjithashtu miratimi i procesverbaleve nga mbledhjet e mëparshme.
Në zhvillimet politike kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se në rast se Kuvendi nuk arrin të zgjedhë presidentin deri më 6 tetor, vendi do të shkojë në zgjedhje të reja. Sipas tij, në një situatë të tillë do të zhvilloheshin zgjedhje për Kuvendin dhe qeverinë dhe jo për presidentin.
Rendi i ditës
Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme.
Miratimi i Deklaratës lidhur me Aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, të datës 16 shtator 2026.
Zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Formimi i komisioneve parlamentare./ZËRI