
TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha dhe Gazment Bardhi, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, janë në një mendje përsa u përket vendime që do të marrin si seli blu, pas përjashtimit të deputetëve që është pasuar nga rrëzimi i kërkesave të tyre, për të ngritur Komisione Hetimore, si dhe mospranimin për të ndryshuar anëtarët e Komisionit për Reformën Zgjedhore. Deputetët u mblodhën sot dhe në diskutimet me dyer të mbyllura u shtrua propozimi i ashpërsimit të qëndrimit të tyre. I pranishëm ishte edhe vetë Berisha.
“Do të duhet të kemi një qëndrim. Mazhoranca po na bllokon çdo hapësirë institucionale. Kanë asgjësuar parlamentarizmin,”- mësohet të ketë thënë Bardhi.
Ndërsa Berisha e ka fshirë si opsion ‘bojkotin’ që do t’i kthente pas në vitin 2019, kohë kur u dogjën mandatet, por ka kërkuar qëndresë parlamentare.
“Duhet të fillojmë qëndresën tonë si parlamentarë. Ne nuk bojkotojmë. Kjo është në interesin e Ramës, por do të bëjmë gjithçka për të krijuar hapësirën tonë si parlamentarë”, tha Berisha.
“Ne kërkojmë hapësirën tonë në këtë Kuvend, nuk e fitojmë duke u larguar. Ne duhet të qëndrojmë aty e të përplasemi. Betejën do duhet ta bëjmë të fortë në seancën dhe në komisione,”- ka pasuar Oerd Bylykbashi.
Pas mbledhjes, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, deklaroi se duhet të bllokohet funksionimi normal i parlamentit, pasi sipas tij maxhoranca nuk është në shinat e ligjshmërisë.
“Në përfundim të mbledhjes së Grupit të Partisë Demokratike, kemi diskutuar me shumë përgjegjshmëri dhe opozitën në situatën të parlamentarizmit në vend. Me urdhër politik janë bllokuar 30 projketligje nga mazhoranca. Brenda një jave, në historinë e parlamentarizmit, janë rrëzuar 3 komisione hetimore. Kërkuam komision hetimor për TIMS dhe kërkuam komision për koncesionet në shëndetësi. Me urdhër politik të Edi Ramës, iu hoqën anëtarët opozitës në komisionin e Reformës Zgjedhore. I ka hequr të drejtën shumicën dërrmuese deputetëve të opozitës, bashkëryetarin në Reformën Zgjedhore. Ne na janë hequr të drejtat. Maxhoranca nuk do reformë zgjedhore. Kolegët e opozitës nuk po lejohen që të çojnë përpara Reformën Zgjedhore. Opozita nuk po lejohet nga maxhoranca të bëjë detyrat që ka. Deputeti nuk merr dot informacion, na rrëzohen Komisionet Hetimore”, tha Bardhi.
Ndërsa, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha tha se tashmë deputetët do të nisin aksionin opozitar dhe takimet me bazën dhe qytetarët në terren. Një thirrje e kishte dhe për ata që i janë bashkuar PD-së zyrtare të drejtuar nga Lulzim Basha. Ndërsa u tregua i gatshëm të dalë krah Gazment Bardhit në takimet publike me demokratët.
“Gazment Bardhi është kryetari i grupit parlament të PD, i të gjithë deputetëve të PD, përveç një grupi të vogël që kanë mbetur dhe uroj të kuptojnë greminën e turpit në të cilën po i fut Lulzim Pengu, sepse ata nuk janë aty si deputetë për tu keqpërdorur nga Lulzim Pengu dhe Edi Rama, por janë për tu qëndruar besnik idealeve dhe ti bashkohen sa më parë grupit të PD,”- tha Berisha.
-
-
Gazment Bardhi: Të bllokohet funksionimi normal i parlamentit
17 Tetor, 15:10