
TIRANË – Vila e Enver Hoxhës, njohur ndryshe edhe si Vila 31, do të shndërrohet në një rezidencë artistësh. Për projektin, do të bashkëpunohet edhe me fondacionin francez “Art Explora”.
Në ceremoninë që u mbajt, kryeministri Edi Rama, deklaroi se më në fund, godina nuk do të vuajë nga fantazma e dikurshme e ish pronarit. “Shqipëria nuk ecën më me filozofinë e ish pronarit. Nëse do të ndiqnim logjikën e tij, ne duhet të vrisnim të gjithë të huajt dhe Makronin ta merrnim peng. Në vilë nuk do ketë më fantazmë, më në fund është çliruar”, tha Rama.
Ministrja e Kulturës Elva Margariti në fjalën e saj, deklaroi se shndërrimi i kësaj vile me një rezidencë artistësh, është dënimi më i keq në botën e përtejme të fantazmës që e posedonte.
“Shndërrimi i vilës së Enver Hoxhës në një rezidencë artistësh, bën që Shqipëria të kthehet në një destinacion jo vetëm turistik, por edhe artistik. Ne i hapim rrugë edukimit të brezit të ri përmes artit”, deklaroi Margariti.
Këshilli i Ministrave vendosi që të japë në shfrytëzim për një projekt kulturor “rezidencën qeveritare vila 31”, ish-shtëpia e diktatorit Enver Hoxha.
Ndërtesa gjendet në qendër të Tiranës në lagjen që njihet si ish-Blloku, ku gjatë viteve 1944-1991 jetuan familjet e zyrtarëve të lartë të komunizmit./Zëri.ai/