
TIRANË- Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, e ka konsideruar drejtësi me regji atë që po ndodh me familjen Berisha, pas arrestimit të dhëndrit, dhe akuzave për vetë ish-kryeministrin.
Sipas Metës, masa e sigurisë ndaj Berishës është bërë në shkelje të Kushtetutës, pasi për deputetët nuk mund të ketë masa kufizuese pa marrë më parë miratimin e parlamentit. Kreu i PL-së deklaron se kjo lëvizje ka për qëllim që të shantazhojë opozitën, dhe të tërheqë vëmendjen nga skandalet që kanë ndodhur në qeveri.
Reagimi i Metës:
Drejtësia me regji ka ndërmarrë veprimet e saj antikushtetuese dhe të paligjshme ndaj Kryetarit të Partisë Demokratike Prof. Dr. Sali Berisha me urdhër politik të Edi Ramës.
Këto veprime, që kanë shkelur me këmbë edhe Parlamentin e Shqipërisë kërkojnë shmangien e vëmendjes nga korrupsioni dhe përgjegjësitë shumë të rënda personale të Edi Ramës për aferën e inceneratorëve dhe mjaft aferave të tjerave qindra milionëshe.
Qëllimi politik i vetëm është shantazhi dhe intimidimi i opozitës, e cila po denoncon me këmbëngulje të vërtetat shumë të hidhura të korrupsionit mafioz të Qeverisë.
Jamarbër Malltezi u vu në pranga pasditen e djeshme në Rinas, ndërsa ndaj ish-kryeministrit Berisha është caktuar masa 'detyrim paraqitje' dhe ndalimi i daljes nga Shqipëria. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e hetoi Malltezin për pastrim parash, pas kallëzimit të bërë nga Taulant Balla, aktualisht ministri i Brendshëm.
Balla, asokohe kreu i grupit parlamentar të PS, kallëzoi për shpërdorim detyre ish-kryeministrin Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe ish-ministri Arben Imami. Ata akuzohen në lidhje me privatizimin e rreth 10.000 m2 të ish-kompleksit sportiv “Partizani”, në afërsi të zonës së 21 Dhjetorit, truall i cili para vitit 2008 ishte në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes.
Zëri.ai