
TIRANË- Arrestimi i Jamarbër Malltezit, dhe masa e sigurisë së detyrimit të paraqitjes për Sali Berishën, nën akuzën e korrupsionit dhe pastrimit të parave, duket se ka gjetur të papërgatitur dhe vetë opozitën. Menjëherë pas publikimit të lajmit gjatë ditës së djeshme, të vetmit që reaguan ishin një rreth i ngushtë i deputetëve besnikë të Berishës, ndërkohë që të tjerët në opozitë presin se si do të zhvillohen ngjarjet.
Kur kanë kaluar tashmë më shumë se 15 orë nga arrestimi i dhëndrit të Berishës, por edhe masës ndaj vetë ish-kryeministrit Sali Berisha, asnjë 'cicërimë' nuk ka në rrjetet sociale, as nga Lulzim Basha dhe as nga Gazment Bardhi. Në qetësi e kanë kaluar këtë lajm edhe ne qeveri, ku deri tani as ndonjë eksponent më me pak ndikim i saj nuk ka bërë reagim.
Ndër të vetmet që ka reaguar në krahë të Berishës, është ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli, e cila thotë se në rastin e Berishës është shkelur Kushtetuta, pasi nuk mund ti kufizohet lëvizja një deputeti pa marrë më parë miratimin e Kuvendit. Ish-kryeparlamentarja, i referohet nenit 73, pika 2 e Kushtetutës, sipas të cilit, nuk lejohet kufizimi i çfarëdollojshëm i lirisë së ligjvënësve pa marrë leje nga Kuvendi.
Ashtu si edhe vetë kreu i Rithemelimit gjatë një konference emergjente për mediat, Jozefina Topalli akuzon qeverinë se po përdor organet e drejtësisë për qëllime politike.
“Perdorimi i kercenimit, ndalimit, arrestimit apo ndalimit te levizjes ndaj kryetarit te opozites dhe familjes se tij eshte nje praktike ekstreme ,qe dhunon ne menyre ekstreme te drejtat e njeriut , minon demokracine dhe stabilitetin e nje shoqerie.Kjo praktike perdoret nga regjimet autoritare apo grupe ekstreme , qe kerkojne te shtypin opoziten politike te nje vendi.
Ne shtetin e prokuroreve qesharak, ndodh qe te urdherojne ndalimin e levizjes se depueteti, pa lejen e parlamentit, ne shkelje shume te rende te Kushtetutes , si nje kapercim i pafalshem i shtetit te se drejtes dhe si fakt i qarte i zbatimit te urdherve politik.
Perdorimi politik i drejtesise kundra opozites se nje vendi, e vecanerisht kundra kryetarit te opozites dhe familjareve te tij eshte hapi me i rrezikshem per stabilitetin e vendit, por mund te kthehet dhe si hap vendimtar per te ndryshuar situaten nga nje shtet i korruptuar dhe i kriminalizuar ne nje vend qe interesim publik e ka te shenjte.Regjimet mafioze duhen rrezuar bashke me drejtesine politke te tyre!”, shkruan Topalli në Facebook.
Ndaj ish-kryemiministrit është ngritur vetëm akuza e korrupsionit, dhe jo ajo e pastrimit të parave që u tha fillimisht. GJKKO ka caktuar për kreun e grupit të Rithemelimit masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” dhe “ndalim daljeje jashtë shtetit” ndërsa dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi është vënë në pranga.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e hetoi Malltezin për pastrim parash, pas kallëzimit të bërë nga Taulant Balla, aktualisht ministri i Brendshëm.
Balla, asokohe kreu i grupit parlamentar të PS, kallëzoi për shpërdorim detyre ish-kryeministrin Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe ish-ministri Arben Imami. Ata akuzohen në lidhje me privatizimin e rreth 10.000 m2 të ish-kompleksit sportiv “Partizani”, në afërsi të zonës së 21 Dhjetorit, truall i cili para vitit 2008 ishte në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes./Zëri.ai