TIRANË- Këtë të premte zhvillohet ceremonia pritëse për ambasadorin e ri të SHBA-së në Shqipëri, Eric Wendt. Ambasada amerikane në Tiranë po organizon në ambientet e një hoteli në zonën e ish-Bllokut pritjen zyrtare për prezantimin e ambasadorit, pas dorëzimit të letrave kredenciale te Presidenti Bajram Begaj.
Në ceremoni marrin pjesë rreth 130 të ftuar, mes tyre politikanë nga të dyja krahët e politikës, zyrtarë të shtetit shqiptar, ministra, drejtues të institucioneve të drejtësisë, si dhe përfaqësues nga fusha të ndryshme.
Ajo që bie në sy është mungesa e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili pak ditë më parë deklaroi se nuk kishte marrë ftesë për këtë pritje.
“I uroj mirëseardhjen ambasadorit, nuk kam asnjë dijeni për ceremoninë”, tha Berisha.
Sipas burimeve, ftesat për ceremoninë e prezantimit të ambasadorit të ri u janë dërguar me postë elektronike dhjetëra personave të paktën dy javë më parë. Megjithatë, një ftesë e tillë nuk ka mbërritur në adresën elektronike të Berishës.
Më 26 shtator, Eric Wendt dorëzoi kredencialet te Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, duke marrë zyrtarisht detyrën e ambasadorit amerikan në Tiranë. Eric Wendt, bëhet ambasadori i 11-të i SHBA-ve në Shqipëri që nga rivendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve në vitin 1991.
Wendt do të jetë pasuesi i ambasadores Yuri Kim, e cila përfundoi mandatin e saj në Shqipëri në vitin 2023. Që prej asaj kohe, Ambasada amerikane në Tiranë është drejtuar nga të ngarkuar me punë, ndërsa procesi për emërimin e një ambasadori të ri u zgjat për shkak të procedurave të konfirmimit në Senat./ZËRI