TIRANË- Në Komisionin e Ligjeve po diskutohet Reforma Territoriale, ku nuk kanë munguar debatet mes palëve. Opozita ka vijuar me kundërshtimet për procesin e hartës së re territoriale, duke e cilësuar si të pamjaftueshëm konsultimin me komunitetet dhe duke kërkuar që procedura të ndërpritet.
Gjatë debateve, deputetët e opozitës kërkuan nga Komisioni që shqyrtimi të mos përfundojë pa u administruar edhe nisma e opozitës. Në pritje të prezantimit të gjetjeve të konsultimeve, deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, është përplasur me kryetarin e Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e trajtimit të nismave të bashkive dhe të opozitës.
Pjesë nga debati:
Saimir Korreshi: Ka Shqipëria pa fund probleme. Këto të bashkive kanë një problem, i janë drejtuar Kuvendit, jo Maznikut. I janë drejtuar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Është binjakëzuar me Nikon? Ja sa ka ardhur ligji e keni patur furrën e nxehtë, më 31 gusht e çuat me vrap, direkt. Ai nuk ka pritur fare të vijë këtu, hyri dhe doli menjëherë. Po shkresat e mëparshme. Këta të reformës territoriale nuk dinë gjë, edhe ne të ligjit po në gjumë. Nuk kemi ardhur për të folur për peshqit. Në Lushnje që ngordhën. Kur i dërgojnë këto nisma Kuvendit, të paktën ti marrim ne. Gjithë kryetarët e bashkisë në rresht për një, se thotë zotëria me 9 apo 10 të tjerë. Datë 31 e sollën këta, këtu e vutë në lëvizje pilafin, apo ishte me lëng. Kur ne na thoni për dy javë, e jona duhet të flerë pas gjumit. Këtu nuk paska fjet gjumë, në bashkinë e Divjakës, tava në furrë. Jeni ju kuzhinier që gatuani më mirë. Pse nuk u bë brenda ditës edhe e jona. Apo kishte punë të tjera Niko?
Ulsi Manja: Po më pyesni pse nuk e ka bërë për nismën tuaj. Nga Kuvendi i Shqipërisë, Sekretari i Përgjithshëm më ka bërë me dije se është nisur nisma juaj njësoj si e jona të gjitha Bashkive. Me të njëjtën procedurë, sic e keni kërkuyar ju. Keni depozituar një projektligj dhe i keni kërkuar Kuvendit me ua nis të gjitha bashkive.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar në shtator draftin ligjin për ndarjen administrative-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Shqipëri ku ka propozuar që vendi të ketë 100 bashki dhe 12 qarqe. Ndërkohë që nga ana tjetër, drafti i Partisë Socialiste parashikon shkrirjen e 15 bashkive, kalimin nga 61 në 46 bashki. /ZËRI