TIRANË- Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri Michel Tarran zhvilloi një takim me kryetarin e Dhomës së Avokatisë Maksim Haxhia ku në qendër të diskutimeve ishin zhvillimet në sistemin e drejtësisë dhe sfidat me të cilat përballet profesioni i avokatit.
Takimi u fokusua te roli i avokatëve në garantimin e sundimit të ligjit dhe në përmirësimin e aksesit të qytetarëve në drejtësi. Një tjetër çështje e diskutuar ishte respektimi i standardeve të gjykimit të drejtë si një prej elementeve të rëndësishme të funksionimit të sistemit të drejtësisë.
Gjatë takimit u trajtuan edhe problematikat dhe sfidat aktuale me të cilat përballen avokatët në ushtrimin e profesionit të tyre në një kohë kur sistemi i drejtësisë në Shqipëri vijon të jetë në proces ndryshimesh dhe reformimi.
Prania e OSBE-së në Shqipëri theksoi se do të vijojë të mbështesë përpjekjet për forcimin e sundimit të ligjit dhe konsolidimin e një sistemi drejtësie efektiv dhe të përgjegjshëm. Ky angazhim sipas OSBE-së do të vijojë në bashkëpunim me institucionet dhe aktorët e sistemit të drejtësisë përfshirë Dhomën e Avokatisë.
Njoftimi i Pranisë së OSBE-së në Shqipëri:
Ambasadori Tarran u takua me Kryetarin e Dhomës së Avokatisë, Prof.Dr. Maksim Haxhia, për të diskutuar zhvillimet në lidhje me drejtësinë. Diskutimi u përqendrua në rolin e profesionit ligjor në forcimin e sundimit të ligjit, aksesin në drejtësi, respektimin e standardeve të gjykimit të drejtë dhe sfidat aktuale me të cilat përballen avokatët.
Prezenca është e përkushtuar për të mbështetur sundimin e ligjit dhe një sistem drejtësie të përgjegjshëm dhe efektiv në Shqipëri, në bashkëpunim me të gjithë aktorët e drejtësisë, përfshirë Dhomën e Avokatisë./ZËRI