TIRANË-Pesë studio të njohura ndërkombëtare të arkitekturës janë përzgjedhur në konkursin për transformimin e godinës së ish-“Tajvanit” në Parkun Rinia, projekt i quajtur “Tirana Fountain Tower”. Projekti parashikon ndërtimin e një kulle multifunksionale dhe rigjenerimin e hapësirës përreth. Edhe pse ndërtimi do të bëhet brenda perimetrit të një prone private, ai synon të integrohet me hapësirën publike të parkut duke iu përshtatur vizionit të kryeqytetit për vitin 2030
Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në prezantimin e pesë projekteve të paraqitura në kuadër të konkursit ndërkombëtar, ku deklaroi se ndërhyrja synon t’i japë një tjetër zhvillim kësaj hapësire, në përputhje me ndryshimet që ka pësuar Tirana ndër vite. Ai theksoi se në Shqipëri nuk ndërtohet pa rregulla dhe se projektet private nuk janë shoqëruar me nxjerrje me forcë të banorëve nga shtëpitë.
Edi Rama: Është një projekt i sipërmarrjes private në një pronë private, që për arsye se zhvillohet në zemër të parkut, brenda perimetrit të pronës private, aty ku jemi në kushtet që duhet rindërtuar, por nga ana tjetër, ndërtimi do të ketë një impakt të rëndësishëm në gjithë hapësirën përreth, po zhvillojmë një konkurs ndërkombëtar, duke besuar shumë fort që me arkitektët në dispozicion të kësaj sfide, do të bëjmë një zgjedhje që do të jetë më e mira e mundshme për zhvillimin e asaj prone dhe vetë kryeqytetin. Duhet të ndikojë në rigjenerimin e vetë parkut pa prekur asgjë që natyra aty ka, por duke shtuar.
Nuk ka ndodhur në Shqipëri, asnjëherë në asnjë rast dhe për asnjë arsye që të bëhet nxjerrja me forcë e askujt nga shtëpia për të zhvilluar një projekt privat. Asnjë pronari nuk i është penguar liria e tij nëse do apo jo të zhvillojë. Kemi dhe historinë me zaptues të pronave që janë pjesë e proceseve të legalizimeve dhe ligji është shumë i qartë: asnjëherë s’kemi mbajtur anën e tyre nëse nuk ka një kontratë qiraje për personin që është aty.