TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat në Tiranë, kundër investimeve të huaja në Shqipëri në një intervistë për gjermanen WELT. Rama tha se vëmendja ndërkombëtare ndaj protestave në Shqipëri lidhet edhe me atë që ai e cilësoi si “hijen e gjatë të Donald Trump”.
“U thashë miqve të mi demokratë në Amerikë: Nëse nuk mund ta mposhtni Trumpin në Amerikë, mos vini në Shqipëri për t’u hakmarrë. Kjo nuk është e drejtë”, deklaroi Rama.
“Protestat, të cilat nisën fillimisht kundër projektit të zhvillimit turistik, janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë dhe kanë vijuar prej disa muajsh. Flamingoja është kthyer në simbolin e protestuesve, për shkak të shqetësimeve të ngritura për ndikimin e projektit në zonat natyrore dhe habitatet e shpendëve. Kundërshtarët e projektit kanë ngritur shqetësime për ndikimin mjedisor, transparencën dhe mungesën e konsultimit publik. Protestat kanë tërhequr vëmendje edhe jashtë Shqipërisë, ndërsa çështja është bërë pjesë e debatit në institucionet europiane.
Nga ana tjetër, Rama ka mbrojtur projektin dhe ka argumentuar se bëhet fjalë për dy zhvillime të ndryshme: njëri në ishullin e Sazanit, pronë publike, dhe tjetri në një zonë private. Kryeministri ka deklaruar gjithashtu se negociatat për projektin vijojnë dhe se ndikimi mjedisor do të vlerësohet përpara se të merret një vendim përfundimtar”, shkruan Politico.
Duke iu referuar sloganeve të protestuesve, si “Shqipëria nuk është në shitje”, Rama tha se kundërshtimi ndaj investimeve të huaja nuk duhet të paraqitet si shitje e vendit.
“Nëse do të sillnit kapital të huaj në Gjermani, a do të thoshit se Gjermania po shitet?”, deklaroi ai.
“Unë përfaqësoj interesat e vendit tim dhe do të vazhdoj ta bëj këtë”, shtoi kryeministri.
Ndërkohë, çështja e pronësisë së një pjese të tokës së lidhur me projektin është nën hetim nga SPAK. Hetimet lidhen me dyshime për dokumentacionin e pronësisë, ndërsa ish-pronari i tokës ka mohuar çdo shkelje. Rama ka deklaruar se qeveria do të sigurojë transparencë të plotë për procesin dhe dokumentacionin e projektit.
Gjatë një konference për shtyp në Tiranë të mërkurën, së bashku me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, Rama siguroi se qeveria e tij do të “hedhë dritë mbi procesin, duke garantuar transparencë të plotë për të gjitha dokumentet që lidhen me këtë projekt shumë të diskutuar”. Ndërsa Rama zhvillonte takimin me presidenten e Komisionit Europian, disa qindra persona protestuan jashtë zyrës së tij, duke mbajtur pankarta ku shkruhej: “Jo BE me Ramën”