
TIRANË- Nuk ka zgjatur më shumë se 10 minuta, marrja në pyetje e Gazment Bardhit në Prokurorinë e Posaçme, për çështjen e laboratorit të drogës në Xibrakë. Bardhi tha se prokurorët i kanë bërë vetëm një pyetje, nëse i qëndronte apo jo deklaratave të tij për çështjen Xibraka. Sipas Bardhit ai iu ka qendruar të gjitha deklaratave dhe kallëzimit që ka bërë në SPAK. Kreu i grupit parlamentar demokrat tha se nxit SPAK që të veprojë në përputhje me ligjin dhe në mënyrë të paanshme. I pyetur nga gazetarët në lidhje me kallëzimin e dytë që Olsi Rama ka bërë ndaj tij, Bardhi tha se kjo çështje për të nuk përbënte asnjëlloj interesi.
Gazment Bardhi: Seanca e marrjes në pyetje kishte vetëm një pyetje nëse kisha gjë për të shtuar në raport. Isha në cilësinë e personit që ka dijeni për çështjen. Kallëzues në dosjen e “Xibrakës” është prokuroria dhe policia e Hanoverit. Kam kërkuar rihapjen e këtij procedimi që ishte harruar në arkivat, ndërkohë që persona të përfshirë ishin cilësuar si të paidentifikuar dhe për pasojë nuk kanë marrë atë që meritojnë sipas ligjit për përfshirjen në laboratorin e parë të kokainës në vendin tonë, në laboratorin e Xibrakës. Sot unë jam për çështjen e dosjes së Xibrakës, nuk dua të devijoj dëshminë time para hetuesve të SPAK me çështje të tjera që besoj se do të kemi kohë. Rikonfirmova atë që kam sjellë dhe përcjellë me shkrim në datën 29 Mars 2024.
Olsi Rama ka depozituar një kallëzim të dytë për ju në SPAK, a keni informacion nëse është regjistruar ky kallëzim?
Gazment Bardhi: Nuk kam informacion, kam zero interes se për çfarë nxitet Olsi Rama nga i vëllai për efekt të propagandës. Përgjigjen për atë çështje e kam marrë. Nuk mund të ketrë kallëzim të rremë përsa kohë që informacioni që kam përcjellë është vlerësuar nga prokurorët e çështjes si i mjaftueshëm, e dhënë konkrete për të rihapur një procedim penal. Kallëzim të rremë është në 3 rrethana, kur nuk ka vepra penele, nuk ka krim, apo sajohen provat. Nëse lexoni kallëzimin e Olsi Ramës do të shikoni se nga njëra anë më akuzon për kallëzim të rremë dhe nga ana tjetër i thotë prokurorit që merreni dhe pyeteni se ku i ka gjetur të dhënat, dokumentat që ka publikuar, duke konfirmuar vërtetësinë e atyre dokumentave. Zotëria të paktën 2 herë ka kryer ai kallëzim të rremë. Hetimi ndaj tij duhet të jetë i thelluar për laboratorin e kokainës në Xibrakë. Kësaj çështje nuk i ikën dot. Si kryetar i grupit, çdo ditë marr me dhjetra ankesa, shqetësime edhe me radhë, edhe nga qytetarët.
A keni besim tek SPAK?
Gazment Bardhi: Sa kohë i jam drejtuar SPAK, p asnjë dyshim që kam besim tek SPAK, e vetmja gjë që kam bërë dhe bëj është nxitja për të vepruar në mënyrë të paanshme. Sa kohë që veprohet në përputhje me ligjin. Kam besim. Në këtë çështje, kam pasur një pretendim ligjor dhe këtë pretendim e kam trajtuar në rrugë institucioniale. Jam përpjekur të veproj si një funksionar publik i përgjegjshëm.
Prokurori që po e heton këtë çështje është caktuar Alfred Shehu që ju e keni denoncuar në Elbasan dhe tani ju doni të jepni dëshmi përballë këtij prokurori që ka qenë subjekt sulmesh nga ana e PD-së në kohën e zgjedhjeve. Do të kërkoni të ndryshoni prokurorin apo do i bindeni Alfred Shehut?
Gazment Bardhi: Unë nuk i bindem askujt përveç ligjit dhe Zotit. Këtë çështje e kam trajtuar në rrugë institucionale, nuk dua të bëj politikë me këtë çështje. Pres që SPAK të zbatojë ligjin, të hetojë atë që u la pa hetuar nga prokurorët. Kam kërkuar që të hetohet dhe roli i 2 prokurorëve që kanë pasur rastin e Xibrakës. Ajo është një çështje me rëndësi themelore dhe do të duhej të kishte një hetim serioz. Prokurorët zgjodhën të merrnin mbështetje nga Rama në vend se të kryenin detyrën e tyre për t’i shkuar deri në fund të vërtetës.
SPAK vendosi që të rihapë hetimet për dosjen Xibraka, pas denoncimit të Bardhit, se një person i paidentifikuar, i moshës 45 vjec, rezulton të ketë përdorur automjetin me targa AA 653 DM. Sipas të dhënave TIMS, Olsi Rama është përdorues i këtij automjeti, sëbashku me tre drejtuesit e tjerë të organizatës kriminale.
Bardhi iu referua dokumenteve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe të dhënave të sistemit TIMS për të provuar sipas tij faktin se Olsi Rama ka përdorur gjatë vitit 2014 të njëjtën makinë me të dënuarit e tjerë të dosjes “Xibraka”, ku policia zbuloi atë kohë një laborator të përpunimit të kokainës në fshatin me të njëjtin emër.
Sipas Bardhit, filli lidhës mes Ramës dhe anëtarëve të tjerë të grupit ishte makina me targa AA 653DM, e përdorur prej tyre dhe e regjistruar në sistemin TIMS në hyrjet dhe daljes nga vendi.
Dokumentet e TIMS të vëna në dispozicion nga Bardhi tregojnë se Olsi Rama ka hyrë në territorin e Shqipërisë tre herë me këtë makinë më 8 qershor 2014, 13 korrik 2014 dhe 8 gusht 2014; respektivisht nga pikat kufitare të Kapshticës, Qafë Thanës dhe Qafë Botës. E njëjta makinë është përdorur disa herë nga Gentian Gjonaj nga prilli deri në nëntor të vitit 2014 dhe nga Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, në nëntor 2014.
Sipas Bardhit, prokuroria dhe gjykata shqiptare kanë pranuar se personat e dënuar nuk janë të vetmit persona që kanë qenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, por një hetim për personat e paidentifikuar nuk është mbyllur ende përfundimisht.
Në lidhje me pretendimet e Bardhit, ka paraqitur një kallëzim nnë SPAK ndhe vetë Olsi Rama. Ky i fundit e akuzon kreun e grupit parlamentar të PD-së për kallëzim të rremë. SPAK e rrëzoi kallëzimin e parë të Ramës, pasi sipas tyre Bardhi kishte dorëzuar elementë shtesë për një dosje ekzistuese, dhe nuk kishte paraqitue një kallëzim të ri.
/ZËRI