
TIRANË- Gazetarja Klodiana Lala ka deklaruar këtë të enjte se Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka nisur një hetim të thelluar të pasurisë së kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj dhe bashkëshortes së tij Ajola Xoxa. Sipas gazetares, SPAK ka sekuestruar celularët e disa personave që janë shumë pranë Ajola Xoxës. Lala thotë se SPAK ka regjistruar procedim penal ndaj Veliajt. Deklaratën e bëri e ftuar në "Të pa Ekzpozuarit".
Klodiana Lala: Ka një hetim pasuror për zotin Veliaj. U është dërguar shkresë disa institucioneve. Kemi siguruar shkresën që u është dërguar bankave për Veliajn, bashkëshorten, vellanë dhe nënën. Gjithashtu kërkohen transaksionet e tyre në dhjetë vitet e fundit. Është kërkuar informacion për kreditë, nëse ka të tilla. Është kërkuar edhe pranë zyrave të kasastrës, për të parë nëse Veliaj dhe familjarët zotërojnë pasuri. Është kërkuar informacion edhe nga tatimet, që lidhen me një kompani që zotëron zonja Xoxa, që ka një kompani që jep shërbime të ndryshme. Janë bërë sekuestrime celularësh, personave shumë pranë zonjës Xoxa. Ky hetim është çelur vetëm pak ditë pasi zoti Veliaj është pyetur në SPAK për inceneratorin e Tiranës. Në shkresë, thuhet Prokuroria e Posaçme ka regjistruar procedim penal. Kjo është situata. Prokuroria e Posaçme, do të ketë edhe kërkesë për ndihmë jashtë vendit për të parë udhëtimet e Veliajt, personat që e kanë shoqëruar, shpenzimet, njësitë hoteliere, etj. Më herët SPAK firmosi urdhër arrest për ish zv.kryeministrin Ahmetaj, nisur vetëm nga pasuria dhe sot është në kërkim ndërkombëtar. Hetimi pasuror, është një hetim, nuk janë vetëm këto katër emra. Hetimi pasuror, shtrihet edhe mbi personat që janë të bashkëlidhur. Mund të jenë edhe persona të afërt, miq, të besuar, bashkëpunëtorë, biznesmenë. Ajo çfarë Prokuroria e Posaçme nuk pranon ta konfirmojë, është se si ky hetim është nisur. Ka patur referim nga institucione shtetërore? Është nisur kryesisht? Apo ka patur sinjalizim nga bankat?