Politikë

Rezoluta anti-korrupsion të hënën në Kuvend/ Tabaku me rezerva: Duhet debat! Çuçi: Duam gjithëpërfshirje

Bledi Çuçi propozoi datën 27 maj 2024 për çuarjen në seancë në Kuvend të draft-rezolutës.

k.m.
Rezoluta anti-korrupsion të hënën në Kuvend/ Tabaku me
Pamje nga mbledhja

TIRANË- Të hënën, Kuvendi i Shqipërisë pritet që të kalojë për diskutim dhe votim projektligjin e rezolutës së anti-korrupsionit, nismë e prezantuar nga kryeministri Edi Rama. Vendimi është marrë sot në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve. Por takimi i sotëm ka pasur debate mes maxhorancës dhe opozitës. Megjithatë vetëm 9 vota të mazhorancës mjaftuan që projekt-rezoluta “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian” të diskutohet të hënën në Kuvend.

Të vetmit nga opozita që morën pjesë në takim ishin Jorida Tabaku dhe Agron Duka, të cilët abstenuan. Në mbledhjen e sotme, në fjalën e saj, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku sugjeroi që rezoluta të kishte një debat më të gjerë sesa deputetët në Kuvend. E po ashtu, ngriti pikëpyetje nëse ky komision do të garantonte gjithashtu pavarësinë e sistemit të drejtësisë.

"Më vjen mirë që lufta kundër korrupsionit duhet ndryshojë dhe qeveria pranon që kemi një korrupsion endemik dhe sot ekziston në të gjithë institucionet. Tani kush ka folur e paska pasur të drejtë. Rezoluta që ju propozoni çon miratimin e ngritjes së një komisioni të posaçëm dhe disa elementë që ne mendojmë se kanë nevojë për një debat më të gjerë se sa debati në Kuvend. Kam dorëzuar disa ndryshime ligjore për të luftuar korrupsionin me ndryshime që i vijnë në ndihmë kësaj beteje dhe që u refuzuan nga PS. Mazhoranca i rrëzoi duke mohuar korrupsionin. Sot, qeveria pranon korrupsionin dhe mungesën e vullnetit politik. Ju kërkoni të krijoni një Komision AdHoc që merr funksione nga KKIE dhe pa asnjë argument. Rezoluta juaj nuk ka info për procesin që do ndjekë. Nuk kemi asnjë info se çfarë do ndodhë me këtë komision të posaçëm se çfarë funksionesh do i merren komisioneve permanente dhe gjithashtu edhe KKIE. Keni bllokuar KKIE me vullnet për të penguar dakordësinë që kemi pasur për krijimin e këtij institucioni dhe bllokuar punën e këtij institucioni me vetëdije. Kështu doni t’i merrni atributet që i cakton ligji miratuar bashkarisht KKIE? Ne e kemi të shenjtë pavarësinë e institucioneve të drejtësisë sidomos SPAK. Ne nuk kemi asnjë siguri që do ruhen këto pavarësi institucionale nga ky komision. Mungesa e kësaj sigurie na bën të jemi skeptikë duke parë punën tuaj. Parlamenti ka dhe 5 muaj punë dhe nuk mund të themi që qeverisë i lindi vullneti politik për të luftuar korrupsionin pas 3 mandateve në qeveri me thellim korrupsioni. Lufta kundër korrupsionit duhet të ketë dakordësi dhe ka një bazë nga ku mund të niset. Rezoluta nuk mund të jetë një përpjekje për të hequr të drejtat e opozitës,"-tha në fjalën e saj, Tabaku.

Por pavarësisht pretendimeve të Tabakut, në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, kreu i Grupit Parlamentar të PS, Bledi Çuçi propozoi datën 27 maj 2024 për çuarjen në seancë në Kuvend të draft-rezolutës. Sipas tij, Çuçi theksoi se s’ka mbivendosje me kompetencat e asnjë komisioni tjetër dhe as me punën e Këshillit Kombëtar të Integrimit.

“Nuk mund ta bëjë qeveria këtë gjë prandaj po marrim një iniciativë të tillë në Parlament. Qeveria është një nga institucionet që do të raportojë për mirëqeverisjen dhe luftën kundër korrupsionit. S’ka asnjë merak për mbivendosje kompetencash nga Këshilli i Integrimit Europian apo komisionet e tjera. Procesi Screenig është burimi kryesor që na çon në marrjen e kësaj iniciative duke e shpallur prioritet luftën kundër korrupsionit dhe mirëqeverisjen. Padiskutim që mazhoranca ka barrën kryesore sepse i është deleguar sovraniteti nga qytetarët, por ne kemi kërkuar gjithëpërfshirje në Parlament për ta udhëhequr këtë iniciativë,”- deklaroi Çuçi.

Edhe ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali argumentoi se mekanizmi i ri për të përfshirë Kuvendin në reformat anti-korrupsion lindi nga raportet e procesit screening me Bashkimin Europian.

“Draft-rezoluta është mekanizëm shtesë dhe detyrim që ka dalë nga procesi Screening. Komisioni i Posacëm është një hapësirë e re që adreson luftën kundër korrupsionit dhe mirëqeverisjen,”- mësohet të ketë thënë Spiropali.

Rezoluta e anti-korrupsionit u prezantua disa javë më parë nga kryeministri Edi Rama, duke ftuar edhe opozitën që të bashkohej me punimet e Komisionit të Posaçëm që pritet të krijohet. Megjithatë ende nuk dihet sesi do të funksionojë Komisioni i ri dhe se cilët anëtarët të opozitës do të bëhen pjesë të tij./ZËRI

Poll

MOS HUMB