Politikë

Braçe përplaset me Spahon: Sharlatan, lëpin fytyrën e Berishës (Debatet)

Edmond Spaho ishte i vetmi deputet i opozitës në Komisionin e Ekonomisë që u mbajt online

E.K

Braçe përplaset me Spahon: Sharlatan, lëpin fytyrën e

TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike Edmond Spaho, ka qenë i vetmi i pranishëm nga opozita në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave që është duke u mbajtur online, ku kërkoi nga mazhoranca rikthimin sa më parë të jetës parlamentare. Spaho citoi qëndrimet e disa ambasadave në vendin tonë, që i bënë thirrje politikës për ti dhënë fund konflikteve.

“Pas ngjarjeve të së hënës ku Buxheti u votua për 5 minuta, dëshiroj që tju kujtoj reagimet e trupit diplomatik, që kanë tërhequr vëmendjen për nevojën e një parlamenti normal. Dialogu mes mazhorancës dhe opozitës është thelbësor për integrimin e opozitës. As më shumë dhe as më pak se ajo që ne kërkojmë prej kohësh, siç janë komisionet hetimore parlamentare, dhe plotësimi i vakancave në Komisionin për Reformën Zgjedhore. Ka ardhur koha që të mos vazhdoni me atë sjelljen që votoni dhe më pas duartrokisni”, u shpreh Spaho, ndërkohë që për Eduart Shalsin, Komisioni i Ekonomisë ka dhënë gjithë hapësirën e nevojshme për deputetët e opozitës.

“Ju kujtoj që jemi në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave ku keni qenë të mirëpritur, nuk isha unë që ju bllokova derën, ishin ju që bllokuat hyrjen e kreut të këtij komisioni”, tha Shalsi në Komision, ndërkohë që më i ashpër në qëndrimin e tij ka qenë deputeti socialist Erion Braçe. Ai tha se incidentet që ndodhën të hënën në Kuvend ishin një ngjarje kriminale.

“Buxheti nuk është miratuar në 5 minuta, ka ndodhur vetëm votimi. Ajo që ka ndodhur është që buxheti ka që në 1 nëntor që është shqyrtuar në komisionin e ekonomisë, është bërë prezantimi, diskutimi, pyetje-përgjigje. Janë 13 seanca në vetëm 20 ditë që janë zhvilluar nga Komisioni i Ekonomisë. Kemi marrë edhe sqarime të domosdoshme edhe me shkrim jo vetëm me gojë. Këtij komisioni nuk i ka munguar asnjë shifër, që është kërkuar. Buxheti nuk është miratuar ende, sepse diskutimi nen për nen vlen për të materializuar ndryshime, deri në 7 dhjetor kemi diskutime deri tek miratimi. Kush e ka pasur mendjen tek sherri, po për ata buxheti u miratua në 5 minuta. Ne të hapur kemi qenë për të gjithë.

Ditën e hënë nuk ka ndodhur ngritja e dorës, por ka ndodhur një ngjarje kriminale, se deri tek tymueset jemi mësuar, por flaka që ndodhi në kuvend me flakë, brenda një ene kishte lënë djegëse. Të ndezësh zjarr mes sallës ku brenda janë 140 veta normal është krim, dhe jam i habitur se si kuvendi nuk e ka kallëzuar këtë krim. Zjarri mes kuvendit është një akt i pastër kriminal, që rrezikon jetën jo vetëm të deputetëve por që rrezikon jetën institucionale dhe kushtetuese”, u shpreh Braçe, ndërkohë që Spaho tha se nëse PS nuk reflekton, opozita do të ketë të njëjtën sjellje.

“Nëse nuk ndryshoni do përballemi me po të njëjtën sjellje që keni pare”, u shpreh Spaho, ndërkohë që Braçe e quajti kundërshtarin e tij politik një sharlatan.

“Zotëria e ka bërë baltë në këtë komision me fyerje të drejtpërdrejta të anëtarëve. Ky tipi ka vënë dorë edhe mbi gratë e kuvendit. Këtij sharlatani dhe çdo sharlatani tjetër që është në Kuvend për ti lëpirë fytyrën Berishës duhet ti vini fre. Pecetat higjieno-sanitare për burra si puna e këtij do i japim falas”, tha Braçe.

Të gjitha komisionet parlamentare vijojnë që të mbahen online, ku është duke u diskutuar nen për nen projektbuxheti i vitit të ardhshëm. Në lidhje me incidentet kanë reaguar në seri dhe selitë diplomatike në vendin tonë, që kanë kërkuar nga palët të ulen sa më shpejt në dialog për të rikthyer në normalitet jetën parlamentare.

/Zëri.ai 

Poll

MOS HUMB