Politikë

Arrestimi i Breçanit, Berisha: Të zbatohet ligji, edhe Balla në bisedat e transkriptuara

Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se në lidhje me arrestimin e Erzen Breçanit, mbështet vetëm ligjin, duke hedhur akuza, se në bisedat e transkriptiara del dhe emri i Taulant Ballës dhe Ardi Veliut.

D.XH
Arrestimi i Breçanit, Berisha: Të zbatohet ligji, edhe Balla në
Sali Berisha

TIRANË – Ish-kryeministri Sali Berisha, i ftuar në emisionin “Open”, u pyet në lidhje me operacionin e SPAK, ku u arrestua edhe ish-truproja e tij, Erzen Breçani, për shkak të bisedave në aplikacionin Sky Ecc.

Berisha theksoi se mbështet vetëm ligjin. Ai shtoi se duhet të priten më shumë detaje për operacionin, që të mund të japë një opinion të plotë. Ai u shpreh se dhe ministri i Brendshëm Taulant Balla ka biseda të transkriptuara. Sipas tij, Balla po fut duart në transkriptimet që kanë ardhur nga Europa.

Unë në çdo rast mbështes ligjin dhe vetëm ligjin. Megjithatë, nuk i jap kredite SKAP-it të partisë. Unë di se janë 64 drejtorë policie në biseda të Sky Ecc, është dhe Ardi Veliu, në 2-3 telefona të kriptuar ka qenë Taulant Balla. Balla po fut duart në transkriptet që kanë ardhur, që janë me kamionë.

Po ndjek si po veprohet me këtë rast. Lexoje me vëmendje dosjen Metamorfoza, ke bashkëpunëtorë në vrasje, që vazhdojnë punën. Nuk mund të them gjë tjetër, mbështes ligjin, ligjin dhe vetëm ligjin. Nuk mund të flas dot pa dalë detaje. T’u besosh këtyre është si të besosh të pabesueshmen”, tha Berisha.

SPAK realizoi ditën e djeshme operacionin “Metamorfoza 2”, duke vënë në pranga Erzen Breçanin, Besmir Muratin, Dedan Gjonin dhe Bujar Ajetin. U dha masa e sigurisë detyrim paraqitje për Jonida Babameton, oficere e Drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit. Në kërkim janë shpallur Ismail Zeneli, Artan Sulejmani, Albert Prenga, Bajram Grabova, Eralbi Breçani, djali i Erzen Breçanit. Ndaj tyre janë ngritur akuzat: “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Operacioni u zhvillua pas zbërthimit të bisedave në Sky Ecc./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB