
TIRANË- Vazhdojnë dhe rinumërohen votat e Tiranës, pasi deri më tani janë hapur 330 kuti që ishin mbyllur pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Rinumërimi për qarkun e Tiranës ka zbuluar se thuajse të gjitha partitë kanë vota të shtuara nga numërimi i parë, me përjashtime shumë të vogla. Edhe pse për ta nuk ndryshon asgjë, pasi nuk e sigurojnë dot një mandat, duket se nga numërimi i parë, "viktimë" ka qenë Lulzim Basha. Koalicioni Euroatlantik ka 16 më shumë nga numërimi i parë, ndërsa 2 partitë e mëdha kanë pasur shtim të votave reale. Partia Demokratike në 11 maj ka pasur të numëruara 161 vota që nuk i takojnë, ndërsa Partia Socialiste, 116 të tilla.
Sa i takon kandidatëve në listën preferenciale, Ilir Alimehmeti ka humbur deri më tani 24 vota, ndërsa Jorida Tabaku, e cila e siguroi mandatin e saj, ka rikuperuar 11 vota. Nga kampi socialist, Fatmir Xhafaj ka humbur 61 vota, ndër Ylli Shehi një votë, po aq sa Orlando Rakipi. Ndërsa Xhemal Qefalia ka humbur 75 vota.
RENDITJA SIPAS KQZ:
1. Koalicioni Partia Demokratike - Aleanca për Shqipërinë Madhështore 161
2. Lëvizja Bashkë 15
3. Lëvizja Atdheu -1
4. Partia Koalicioni Euroatlantik -16
5. Partia Socialiste e Shqipërisë 116
6. Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet 21
7. Partia Aleanca Kombëtare Shqiptare -
8. Partia Aleanca Demokracia e Re 2
9. Koalicioni Djathtas për Zhvillim -4
10. Partia Mundësia MUNDESIA 3
11. Partia Socialdemokrate PSD 18
Teksa rinumërimi vazhdon, Partia Socialiste, në një letër drejtuar Komsionit të Ankimeve dhe Sanksioneve disa ditë pas rinisjes së procesit të numërimit të votave në Qarkun Tiranë, ka kërkuar që të llogariten të vlefshme edhe fletët ku shenja dalluese është jashtë kuadratit.
“Referuar vendimit nr. 30, datë 25.04.2025, të Komisionit Rregullator për ‘Udhëzuesin punës për Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor dhe Grupet e Numërimit të Votave për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, në rastin kur shenja e zgjedhësit në fletën e votimit nuk ndodhet brenda kutisë që i korrespondon kandidatit përkatës të listës shumemërore, por shenja është bërë në mënyrë të tillë që e tregon qartë vullnetin e zgjedhësit, fleta e votimit konsiderohet e vlefshme,”- shkruhet në letrën drejtuar KAS. Por pas mbledhjes së KAS, u vendos që kërkesa e Partisë Socialiste të mos merrej në konsideratë.
Ende nuk ka ndikim te ndarja e mandateve të partive politike apo te renditja e kandidatëve fitues në listën e hapur. Procesi i numërimit bëhet nga punonjësit e KQZ-së dhe parashikohet të mbyllet brenda tetë ditëve. Rinumërimi i kutive u bë pas kërkesës së opozitës e mbështetur nga dy anëtarët e Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve (KAS), Elvis Çefa dhe Ledio Braho.
Rinumërimi për Tiranën pritet të zgjasë rreth 10 ditë, ndërsa më pas do të vijohet me rinumërimin e të gjithë qarkut të Fierit (587 kuti), dhe në fund 360 kutitë e qarkut Durrës, 85 prej të cilave janë të Diasporës. Nga ky rinumërim, Partia Demokratike kërkon të marrë mandatin e dytë të Partisë "Mundësia", që aktualisht e mban Erald Kapri./ZËRI