
TIRANË- Nga sot për një muaj, deri më 20 korrik, të gjithë deputetët që kanë fituar mandatin e parë për të përfaqësuar qytetarët në Kuvend do të shkojnë në "shkollë". Kështu që sot, që herët në mëngjes, deputetët Zegjine Caushi, Sara Mila, Marajana Koçeku dhe 36 deputetë të tjerë kanë marrë leksionet e para. Dy lektorët e parë të Akademisë Politike të Partisë Socialiste ishin ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe vetë kryeministri Edi Rama. Ky i fundit ka shpërndarë një pjezës të leksionit të tij në rrjetet sociale.
"Tani duhet që me të njëjtin seriozitet ta meritoni çdo ditë këtë gjë. Se kjo nuk është diçka që meritohet vetëm njëherë, nuk mjafton!,"-tha Rama në fjalën e tij.
Ndërkohë që teksa hynin në seli, nga një prononcim i shkutër i është marrë edhe deputeteve të reja. Si shembull, deputetja e Fierit, Zegjine Çaushi nuk zgjodhi dot se cili prej lektorëve të sotëm ishte i preferuari i saj. Ndërsa Xhafaj, edhe pse u pyet nga mediat, u shpreh se deputetët e rinj nuk i sheh si nxënës, por si kolegë.
Zegjine Çaushi: S'mund ta quajmë ditën e parë të shkollës. Vetëm një trajnim. Të gjithë janë shumë të mirë nuk kemi një të preferuar, që nga kryeministri që ishte i pari deri tek i fundit. Pa merak se këtu do jemi.
Marjana Koçeku: Është Akademi dhe kam kënaqësi të jem pjesë.
Sara Mila: Ishte me dyer të mbyllura trajnimi, se i bie të bëhen të gjithë deputetë pastaj. I bie t’i japim material opozitës. Mendoj se na ndihmon shumë, duke qenë se jemi pa eksperiencë, është mirë që nga senatorët e PS-së të kemi disa eksperienca dhe të jetësuara nga vetë ata më parë.
Fatmir Xhafaj: Besoj se duhet të jeni po aq serioz, sa janë këta që kanë ardhur. Unë nuk do bëj mësim dhe ata nuk janë nxënës, janë kolegë të mitë dhe siç ndodh në çdo punë tjetër, dikush që ka një eksperiencë më para mundohet t’ua transmetojë kolegëve. Në mënyrë metaforike është kënaqësia për mua që do të takohem me kolegët e mi që do të ndaj 4 vite në seancë parlamentare. Kam disa porosi për ta, por do t'ua jap atyre.
Nga 83 deputetët që Partia Socialiste fitoi në këto zgjedhje, 54 prej tyre kanë fituar mandat për herë të parë. Ndër ta, 39 deputetë nuk kanë mbajtur më parë pozita të nivelit të lartë ekzekutiv si Ministër, Zëvendësministër apo Kryetar Bashkie.
Mesa duket, tashmë gjithçka është gati! Ngelet për t'u parë se si do të procedohet me 'shkollën verore'.../ZËRI